Duka merr pjesë në uebinarin për parandalimin e dëmtimeve indirekte muskulore në sport

Futboll

Duka merr pjesë në uebinarin për parandalimin e dëmtimeve indirekte muskulore në sport

Më: 27 mars 2021 Në ora: 23:13
Duka merr pjesë në uebinarin për parandalimin e dëmtimeve indirekte muskulore në sport

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mori pjesë në një uebinar ndërkombëtar me temë “Parandalimi i dëmtimeve indirekte muskulore në sport”, ku u diskutua mbi dëmtimet indirekte të muskujve në sport dhe që u organizua nga Qendra Ndërkombëtare e Kërkimeve UNIFUNVIC (e specializuar për parandalimin e dëmtimeve indirekte të muskujve në sport) dhe Akademia Evropiane e Sportit dhe Orthomed Sport.

Në këtë uebinar u paraqit protokolli MID (Diagnostifikimi i Integruar Multidisiplinar), një protokoll diagnostik i përparuar për parandalimin e dëmtimeve të muskujve në sport. Protokolli në fjalë u dha në 2018 në Dubai midis 25 projekteve më të mira globale të inovacionit dhe përsosmërisë diagnostike.

Qëllimi i uebinarit ishte të prezantonte një koncept të ri në fushën sportive: të zvogëlojë dëmtimet indirekte të muskujve dhe të përmirësojë performancën atletike dhe të rrisë jetëgjatësinë sportive.

Lëndimet e muskujve janë fatkeqësisht një problem i madh jo vetëm për atletët, por për klubet sportive, federatat sportive, si nga pikëpamja shëndetësore, atletike dhe ekonomike.

Atletë me famë botërore (rekorde botërore, kampione të botës) të përfshira në protokollin kërkimor MID do të marrin pjesë në këtë uebinar.

Presidenti i FSHF e ka treguar se është shumë i ndjeshëm dhe i interesuar në temën për parandalimin e dëmtimeve të muskulore. Një nga objektivat e tij kryesore është të sjellë ekipin kombëtar shqiptar të futbollit në nivele të larta konkurruese dhe mbi të gjitha synon të përmirësojë performancën atletike dhe jetëgjatësinë e klubeve sportive për kampionatin kombëtar.

Në fjalën e mbajtur në këtë uebinar Presidenti Duka tha se Federata e Futbollit prej vitesh investon seriozisht në infrastrukturë dhe burime njerëzore për rritjen e performancës menaxheriale dhe atë sportive, duke mbajtur në fokus mjekësinë sportive si një element i rëndësishëm drejt suksesit final, si në nivel klubesh ashtu edhe në nivel ekipesh kombëtare.

Krue i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se është hartuar një strategji të re e cila do të synojë përshtatjen e sistemit aktual mjekësor me nevojat e fushës dhe me këtë ide, që nga sezoni i kaluar, është hartuar një program kursesh formuese rreth strategjive të ndryshme të riedukimit dhe riaftësimit atletik dhe mbi përdorimin korrekt të pajisjeve të ndryshme të fizioterapisë.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF u shpreh se projekti ynë ambicioz i radhës është ai i krijimit të qendrës mjekësore tek “Shtëpia e Futbollit”, zyrat tona të reja qendrore, një kompleks drejt përfundimit dhe në këtë qendër mund të punojnë terapistët më të mirë sportivë dhe të kthehet në qendrën referuese jo vetëm për ekipet kombëtare dhe klubet profesionale, por edhe për të gjithë sektorin e të rinjve që është e ardhmja jonë.

Fjala e plotë e Presidentit Duka në këtë uebinar:

Shumë të nderuar Profesorë,

Shumë të nderuar Doktorë sportivë,

Para se gjithash ju përshëndes, e dua t’ju falënderoj për ftesën, që më bëtë pjesë të kësaj konference shumë të rëndësishme.

Kam kënaqësinë të jem sot në këtë uebinar, ku do te flitet për mjekësinë sportive, zhvillimi i së cilës, për ne si Federatë, është shndërruar në një ndër prioritetet tona. Jam i bindur që forumi I sotëm, temat që do të referohen, diskutimet e shkëmbimet e eksperiencave të pjesëmarrësve do t’i shërbejnë shumë sportit e do të përmirësojnë punën tonë për arritjen e standardeve të duhura.

Federata jonë e futbollit , prej vitesh investon seriozisht në infrastrukturë dhe burime njerëzore, kjo për qëllimin e rritjes gjithmonë e më shumë të performancës menaxheriale dhe atë sportive, gjithashtu duke mbajtur në fokus mjekësinë sportive si një element i rëndësishëm drejt suksesit final, si në nivel klubesh ashtu edhe në nivel ekipesh kombëtare.

Në këtë frymë, kemi hartuar një strategji të re e cila do të synojë përshtatjen e sistemit aktual mjekësor me nevojat e fushës. Me këtë ide, që nga sezoni i kaluar, hartuam një program kursesh formuese (1 kurs në muaj) rreth strategjive të ndryshme të riedukimit dhe riaftësimit atletik dhe mbi përdorimin korrekt të pajisjeve të ndryshme të fizioterapisë (siç është terapia me lazer, terapi tecar dhe valë shoku) si dhe teknika të ndryshme manuale dhe fashuese.

Këto kurse janë dizenjuar për të adresuar zhvillimin e terapistëve të ekipeve kombëtare, klubeve te Kategorisë Superiore, por edhe më tej, me qëllim informimin dhe azhornimin e atyre që tashmë punojnë në nivele të larta. Gjithashtu përmes këtyre kurseve synohet standardizimi I përdorimit të teknikave të ndryshme në mënyrë që terapistët e ekipit kombëtar të mund t’i aplikojnë në të njëjtën mënyrë edhe në ekipe të tjera.

Këto kurse, gjithashtu ndihmojnë fizioterapistët e rinj të sapo diplomuar apo drejt diplomimit çka na ndihmon të zgjerojmë kapacitetet potenciale që mund të jenë pjesë e ekipeve tona kombëtare, por edhe duke iu ofruar mundësinë e punësimit në klube profesionale.

Përveç kësaj, një program trajnimi po organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Sportit në mënyrë që të krijojmë një kurrikul të dedikuar për mjekësinë e futbollit nga ku do të përftojmë një brez të ri të mjekëve sportivë dhe fizioterapistëve sportivë, të cilët në këtë moment janë mungesë e theksuar në Shqipëri.

Bashkëpunimi me Universitetet na jep mundësinë që përtej formimit kualitativ, figura e mjekut dhe terapistit sportiv të njihet në nivelin shtetëror, e reflektuar në profesionalizëm dhe aftësitë të spikatura.

Deri më tani, me entuziazmon fakti që kemi më shumë se 40 terapistë të rinj të cilët kanë ndjekur tashmë kurset e hartuara nga federata, ku disa prej kandidateve janë regjistruar në më shumë se një kurs, çka tregon një shkallë të lartë interesi të cilës ne po arrijmë t’i përgjigjemi.

Së shpejti do të realizojmë dixhitalizimin e sistemit mjekësor sportiv, nëpërmjet një portali ku të dhënat mjekësore të çdo sportisti regjistrohen nga mjekët e ekipeve Kombëtare dhe klubeve. Kjo do të na ndihmojë në krijimin e një databazë të përgjithshme dhe një skedë mjekësore të çdo lojtari për të evidentuar, parandaluar dhe kuruar në mënyrën më efikase traumat sportive. Kjo platforme digjitale do ti krijojë mundësinë mjekëve të shkëmbejnë analizat dhe rezonancat e lojtarëve, dhe të shkëmbejnë opinione apo kërkojnë konsulencë me kolegë e profesorë homologë.

Në terma më konkretë, 11 skuadrat tona Kombëtare, meshkuj/femra, brenda 3 muajve do të plotësohen me stafe mjekësore të kualifikuara mjekësh, fizioterapistësh, masazhatorësh dhe profile specifike.

Ndërkohë, skuadrat dhe akademitë e klubeve të dy kategorive profesioniste në futbollin shqiptar do të kenë të detyrueshme si pjesë e kritereve të licencimit pasjen e një ekipi të mirëfilltë mjekësor siç ndodh me ekipet Kombëtare.

Të gjithë këto stafe mjekësore do të dalin nga kurset e specializuara që janë zhvilluar e do të zhvillohen periodikisht nga ana jonë.

Projekti ynë ambicioz i radhës është ai i krijimit të qendrës mjekësore tek “Shtëpia e Futbollit”, zyrat tona të reja qendrore, një kompleks drejt përfundimit. Në këtë qendër mund të punojnë terapistët më të mirë sportivë dhe të kthehet në qendrën referuese jo vetëm për ekipet kombëtare dhe klubet profesionale, por edhe për të gjithë sektorin e të rinjve që është e ardhmja jonë.

Unë jam besimplotë se kjo qendër do t’i shërbejë shume zhvillimit e përparimit të mëtejshëm të mjekësisë sportive shqiptare. Të gjitha proceset që ndava më lart me ju, do ta kthejnë Shqipërinë në një lider të mjekësisë sportive në rajon. Kjo është ajo çka në synojmë, padyshim me kontributin e vyer të çdo profesionisti e akademiku.

Më lejoni që nga kjo konferencë të falënderoj mjekët dhe gjithë personelet shëndetësore që na kanë ndihmuar të minimizojmë dhimbjet e humbjet nga armiku i botës Covid-19. Uroj që në një të ardhme të shpejtë të gjithë bashkë e nën udhëheqjen e profesorëve e mjekëve ta kemi mundur këtë armik të padukshëm, por shumë të rrezikshëm, e të takohemi fizikisht.

Ju uroj shumë suksese në punën dhe misionin tuaj dhe punime të mbara në këtë uebinar kaq të rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat