Ramos në telashe

Futboll

Ramos në telashe

Më: 28 mars 2021 Në ora: 11:22
Ramos në telashe

Serxho Ramos alarmoi Spanjën dhe Realin e Madridit pas zëvendësimit të tij në pjesën e parë të ndeshjes kundër Greqisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.

Injigo Martinez zuri vendin e tij dhe u spekulua se mbrojtësi i Realit të Madridit shfaqi probleme muskulore. Diçka e tillë nuk ishte aspak e vërtetë, sepse kapiteni dhe trajneri i kombëtares, Luis Enrike, kishin një pakt të heshtur me njëri-tjetrin.

Ai nuk donte që të rrezikonte me mbrojtësin, i cili nuk ishte i përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen Real Madrid-Selta Vigo, e cila u luajt në fundjavën e kaluar. Ramosi kishte marrë një goditje në kockën e kërcirit dhe trajneri Zidan e la jashtë. Por, ky dëmtim nuk e pengoi që të grumbullohej nga kombëtarja, edhe pse ai nuk është në formën më të mirë fizike. Vetë Luis Enrike mohoi faktin që zëvendësimi i Ramosit ishte për probleme fizike duke konfirmuar se ishte diçka për të cilën kishin folur më parë.

“Serxho është shumë mirë. Ne kishim folur përpara ndeshjes, sepse ai vjen nga një  dëmtim i gjatë dhe nga mosaktivizimi me klubin e tij. Vendosëm bashkë që të luante vetëm një pjesë”, theksoi trajneri asturian. Ai nuk ishte stërvitur me ekipin dy ditë më parë duke qëndruar në palestër. Pavarësisht problemeve donte që të ndihmonte ekipin duke bërë një sforco në 45 minutat e para. Tani mbetet për t’u parë nëse do të ketë më shumë minuta kundër Gjeorgjisë, ditën e diel.

POLEMIKA- Diçka e tillë ka shkaktuar shumë polemika në ambientin sportiv në Spanjë, por edhe në radhët e tifozëve të Realit. Këta të fundit janë të shqetësuar për gjendjen e kapitenit të tyre dhe nuk e pranojnë faktin që ai nuk luajti kundër Sociedadit, por e bëri me kombëtaren.

Sigurisht që ata janë mbështetës të kombëtares, por nuk duan që të humbasin për një kohë të gjatë mbrojtësin në këtë fazë të rëndësishme të sezonit.

Pastaj ka edhe një grup tifozësh që nuk e kuptojnë se si trajneri dhe lojtari mund të bëjnë llogari për minutat e luajtura si në një ndeshje miqësore. Nëse Ramos nuk është i gatshëm për të luajtur, ata thonë se nuk duhet ta niste si titullar. Largimi i tij nga fusha e lojës në fundin e pjesës së parë shkaktoi shumë probleme për ekipin dhe pikërisht Martinez që e zëvendësoi gaboi duke i dhuruar Greqisë 11-metërshin. Ramos është mësuar me të tilla situata dhe nuk i bëjnë shumë përshtypje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat