Rinovimi i Insignes

Futboll

Rinovimi i Insignes

Më: 28 mars 2021 Në ora: 11:27
Rinovimi i Insignes

Në shtëpinë e Napolit parashikohet një verë e nxehtë dhe e gjatë, që do të kalojë mes përgatitjeve për sezonin e ardhshëm dhe bisedimeve sigurisht jomiqësore. Nga njëra anë Lorenzo Insigne, kapiten dhe simbol i Napolit. Nga ana tjetër, presidenti de Laurentiis, një karakter i vështirë, që nuk thyhet lehtë. Në mes, nevoja për të gjetur një marrëveshje mbi rinovimin e një kontrate që do të skadojë në qershor 2022.

Faktet janë këto: Insigne aktualisht fiton 4.5 milionë euro në vit, më pak se Koulibaly, i cili pritet të shitet në verë, por në përputhje me nënshkrimet më të rëndësishme të Napolit: Osimhen, Lozano dhe Mertens. Lorenzo kërkon që bisedimet të nisin pikërisht nga kjo shumë (4.5 milionë), duke shtuar shpërblime të ndryshme, por presidenti De Laurentiis nuk dëshiron të dëgjojë, pasi ka plane të tjera.

Çështja është shumë e thjeshtë: klubet e Serisë A, që kanë paguar një faturë të rëndë për shkak të pandemisë, duhet, në mënyrë të pashmangshme, të punojnë për të ulur pagat dhe shpenzimet. Kjo do të thotë se rinovimet e kontratave duhet të bëhen me kushtet e klubeve. Në rastin e Insignes, Napoli i ofron 3 milionë euro në sezon për 5 vitet e ardhshme, por lojtari as që dëshiron ta marrë në konsideratë këtë propozim.

Bisedimet, për momentin, kanë ngrirë, por ato do të kthehet më të nxehta në verë. Në fakt, Napoli dëshiron ta mbyllë sa më parë këtë temë, në mënyrë që të mos mos përsëritet precedenti “Milik”. Me pak fjalë, para fillimit të sezonit të ri, duhet të rinovohen kontratat me lojtarët e rëndësishëm, të cilat skadojnë pas një viti. Nëse palët qëndrojnë në kokëfortësinë e tyre, atëherë në verë Insigne do t’i thotë lamtumirë Napolit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat