Bushi: Pothuajse kemi 40-50 lojtarë

Futboll

Bushi: Pothuajse kemi 40-50 lojtarë

Më: 30 mars 2021 Në ora: 11:15
Bushi: Pothuajse kemi 40-50 lojtarë

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka folur ditën e sotme mbi grumbullimin 10-ditor që ekipi Shpresa zhvilloi përpara nisjes së fushatës së eliminatoreve të Europianit 2023, ku Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë më 4 qershor ndaj Andorrës në transfertë.

Në një prononcim për fshf.org, tekniku shqiptar u shpreh mjaft i kënaqur nga ky grumbullim si dhe nga paraqitja e lojtarëve. Gjithashtu ai foli edhe për miqësoren ndaj ekipit të Tiranës si dhe theksoi se në miqësoren që Shpresat do të zhvillojnë ditën e nesërme (30 mars) ndaj Bylisit, do të aktivizojë lojtarët e aktivizuar më pak në miqësoren e parë.

Alban Bushi foli edhe për ndeshjen e parë që Shqipëria do të zhvillojë në qershor ndaj Andorrës dhe theksoi se do të grumbullohen lojtarët më të mirë.

Grumbullimi 10 ditor– Mendoj se ka qenë një grumbullim që ia ka vlejtur shumë për ndeshjen e radhës që kemi në Andorra në qershor, megjithëse do të donim një kundërshtar për të bërë një ndeshje miqësore në Tiranë, por për shkak të pandemisë në të gjithë botën, kundërshtarë nuk gjetëm. Kemi luajtur me Tiranën dhe sot do të luajmë me Bylisin për të pasur një ide më të qartë për lojtarët që kemi të grumbulluar. Janë shumë lojtarë të rinj, pothuajse 15 lojtarë që nuk kanë qenë të grumbulluar më parë, është një grup komplet tjetër. Jam shumë i kënaqur, kanë dhënë maksimumin në stërvitje, kanë qenë shumë të përqëndruar, e kanë vlerësuar fanellën e Kombëtares. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Miqësoret e marsit – Ndeshja me Tiranën na ka vlejtur shumë, bëmë një ndeshje shumë të mirë, në përgjithësi. Patëm dhe disa gabime, që mendoj se do të përmirësohemi në ditët në vazhdim dhe nesër me Bylisin do të jemi diçka tjetër. Do t’i japim mundësi edhe lojtarëve të tjerë që luajtën pak minuta dhe të kemi edhe një ide më të qartë për lojtarët e thirrur në këtë grumbullim.

Futbolistët e U-21 dhe Andorra – Janë shumë lojtarë që nuk kanë ardhur, 10-12 lojtarë, të cilët nuk kanë ardhur për shkak të pandemisë, sidomos lojtarët e Anglisë, 4-5 veta, të Kroacisë dhe Italisë.

Shpresojmë që t’i kemi në grumbullimin e ardhshëm. Pothuajse kemi 40-50 lojtarë, nga këta do mundohemi të marrim më të mirët, për këtë nuk duhet t’i ngeli qejfi asnjërit. Në qoftë se dikush është në këtë grumbullim dhe jo në tjetrin, do të jetë gjithmonë nën vëzhgimin tonë, por ne jemi të detyruar të zgjedhim më të mirët. Prandaj quhet ekip Kombëtar sepse përfaqëson një Shqipëëri të tërë.

Unë jam i kënaqur nga çunat dhe mendoj se do të bëjmë një sezon shumë të mirë. Ka kohë për të përgatitur ndeshjen e Andorrës, me 4 qershor që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne për ta filluar me këmbë të mbarë dhe do të shikojmë ato lojtarë që janë më në formë, ata që do të kenë më shumë minuta për të përballuar ndeshjen me Andorrën atje. Andorra është një ekip i bezdisshëm, nuk mendon të ndërtojë, por mendon gjithë kohës të shkatërrojë.

Kanë strategjinë e tyre dhe e bëjnë shumë mirë, por ne gjithsesi nuk është se do të biem në grackën e atyre. Do të jemi shumë të qetë për ta përballuar me sukses dhe shpresoj që do t’ia dalim me sukses- përfundoi trajneri Alban Bushi në prononcimin dhënë për fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat