Kosova pritet të luajë me skemën e njëjtë edhe kundër Spanjës

Futboll

Kosova pritet të luajë me skemën e njëjtë edhe kundër Spanjës

Më: 31 mars 2021 Në ora: 13:20
Kosova pritet të luajë me skemën e njëjtë edhe kundër Spanjës

Kosova pritet të luajë me skemën e njëjtë sonte kundër Spanjës, si në humbjen 3:0 kundër Suedisë në ndeshjen e saj hapëse në kualifikime për Kupën e Botës 2022 të dielën.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në rrethin e tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë.

 

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes kishte lënë të kuptohet se nuk do ta ndryshojë skemën kundër Spanjës, pavarësisht humbjen në ndeshjen hapëse kundër Suedisë në Prishtinë, përgjegjëse për të cilën ishte mbrojtje e dobët dhe gabimet e pafalshme mbrapa.

Kur ishte pyetur nëse do të ndryshonte formacion kundër Spanjës, Challandes kishte thënë: ”Nuk mendoj se tani është koha të mendoj (për ndryshimin e portierit). Nuk kërkoj përgjegjësi vetëm për një gabim. Më duhet të mendoj qartë por problemi është se me cilët lojtarë të luajmë. Nuk është e lehtë të ndryshohet formacioni tani kundër një ekipi si Spanja, veçanërisht për shkak të mungesave në mbrojtje. Duhet të jemi të qetë dhe ta përgatisim ekipin për këtë ndeshje.”

Kosova nuk do të mundë të llogarisë në qendërmbrojtësin kryesor Amir Rrahmani, i cili është i lënduar, por do t’i rikthehet nga pezullimi Ibrahim Dresevic, i cili mund të luajë në mbrojtje.

Në mungesë të Arijanet Muric të përjashtuar përkohësisht nga kombëtarja, trajneri zviceran pritet ta vendosë në portë përsëri kapitenin Samir Ujkani, pavarësisht kritikave për formën e tij të dobët.

Valon Berisha nuk është plotësisht i gatshëm pavarësisht se ka udhëtuar drejt Sevillës, prandaj në qendër të mesfushës pritet të startojë Besar Halimi përkrah Hekruan Kryeziu.

FORMACIONI I MUNDSHËM I KOSOVËS:

Samir Ujkani; Mërgim Vojvoda; Ibrahim Dresevic; Fidan Aliti; Benjamin Kololli; Hekuran Kryeziu, Besar Halimi; Bersant Celina; Arbër Zeneli; Milot Rashica; Vedat Muriqi.

As Spanja e as Kosova nuk vijnë në këtë takim në formën e tyre më të mirë.

Furia e kuqe i ka fituar vetëm dy prej pesë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat, duke e humbur një dhe duke barazuar në dy të tjera.

Verdhekaltrit, në anën tjetër, i kanë humbur tri prej pesë ndeshjeve të fundit, duke i fituar dy të tjera dhe duke barazuar në një tjetër.

Derisa Spanja përjetoi barazim zhgënjyes 1:1 me Greqinë në ndeshjen e saj hapëse në kualifikime për Botërorin e Katarit para se ta mposhte Gjeorgjinë me zor në ndeshjen pasuese, Kosova u mposht bindshëm 3:0 nga Suedia në ndeshjen e saj hapëse në Prishtinë.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve, e ndjekur nga Spanja me katër pikë. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është e katërta pa pikë pas një ndeshjeje, ndërsa Gjeorgjia e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat