Dhuna në ndeshjen Football Republic – Teuta (U-19), organet ligjzbatuese në provë

Futboll

Dhuna në ndeshjen Football Republic – Teuta (U-19), organet ligjzbatuese në provë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 15:16
Dhuna në ndeshjen Football Republic – Teuta (U-19), organet ligjzbatuese në provë

Pamjet e dhunës në përfundim të ndeshjes Footbal Republic-Teuta (U-19), të shpërndara rrufeshëm në media dhe rrjetet sociale, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje pasigurinë dhe problematikat mbi të cilat zhvillohet një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive në vendin tonë.

Përkundër interesit për të zgjeruar bazën e fëmijëve për t’u marrë me sport, përfshirjes në këtë aktivitet të sipërmarrësve të rinj, përshkallëzimi i akteve të dhunës dhe pasiguria që rrethon një numër të konsiderueshëm ndeshjesh të këtyre moshave nxit një reagim të fortë dhe urgjent të të gjitha institucioneve për të evituar ngjarje më të rënda.

Pikësëpari, nga organet ligjzbatuese, të cilat, të detyruara nga ndryshimet e bëra enkas në Kodin e Procedurës Penale, do të duhet të ndërhyjnë për zbatimin e tij ndaj të gjithë personave përgjegjës.

Së dyti, nga ana e FSHF-së, si organizatore e garës, e cila duhet të jetë strikte në zbatimin e rregulloreve të saj për zhvillimin e këtyre aktiviteteve dhe fanatike për të respektuar luajtjen e ndeshjeve në kushte të përshtatshme dhe në respekt të detyrimeve ligjore dhe shëndetësore për shkak të pandemisë.

Së treti, të gjitha klubet duhet të ndihen të detyruara nga ligji, rregulloret e garës, por edhe nga tradita për të pritur dhe respektuar mysafirët si dhe për të edukuar në mënyrën e duhur njerëzore dhe sportive të gjithë të rinjtë që janë bërë pjesë e tyre.

Dhuna ka qenë prej dekadash një nga problematikat me të mëdha të sportit tonë. Lufta ndaj saj ka rezultuar jo efikase përderisa vijon edhe në këto ditë, madje edhe ndryshimet ligjore nuk po japin efektin e pritshëm. pikërisht për këto arsye nevojitet një reflektim i menjëhershëm nga të gjitha institucionet, por edhe nga të gjithë personat të përfshirë në këtë aktivitet për të gjetur zgjidhjet e duhura, dënimin e çdo rasti dhe secilit shkaktar veçmas, në funksion të krijimit të një klime sa më miqësore për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat