Trajneri i Milanit beson te titulli

Futboll

Trajneri i Milanit beson te titulli

Më: 2 prill 2021 Në ora: 17:45
Trajneri i Milanit beson te titulli

Kampionati italian hyn në fazën vendimtare të sezonit, pasi kanë mbetur edhe 10 javë nga fundi, ndërsa në kampin e Milanit të gjithë besojnë ende te titulli kampion, ndonëse kanë 6 pikë më pak se Interi kryesues.

Trajneri Stefano Pioli doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të sfidës me Sampdorian dhe pranoi se futbollistët janë në formë të mirë e besimplotë për të mbyllur kampionatin në mënyrën më të mirë.

“Të gjithë janë kthyer në formë mjaft të mirë nga grumbullimi dhe janë optimistë për sfidën e nesërme. Më vjen shumë mirë që të gjithë besojnë ende te titulli kampion, por na presin 10 sfida shumë të vështira deri në fund”, u shpreh Pioli.

Tre nga titullarët e padiskutueshëm të kuqezinjve janë të angazhuar paralelisht edhe në bisedimet për rinovimin e kontratës që u skadon në fund të sezonit, megjithatë kjo nuk e shqetëson aspak trajnerin Pioli.

“Ibra, Calhanoglu e Donnarumma janë shumë të qetë dhe të përqendruar maksimalisht në fushën e lojës.

Nuk jam i shqetësuar, pasi për rinovimin e tyre merren drejtuesit. Mua më intereson t’i kem në dispozicion maksimal dhe jam i kënaqur për këtë. Duhet të arrijmë të paktën 75 pikë, për të qenë të sigurt për një vend në zonën Champions”, tha trajneri i Milanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat