Luca Laurenti: Janë emra “big” të futbollit

Futboll

Luca Laurenti: Janë emra “big” të futbollit

Më: 2 prill 2021 Në ora: 22:46
Luca Laurenti: Janë emra “big” të futbollit

Federata Shqiptare e Futbollit po përgatitet për organizimin e kursit të përgatitësit atletik, që do të nisë më 27 prill 2021 dhe do të zgjasë për një muaj, teksa do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së në Tiranë. Leksionet do të alternohen si në prezencë fizike në salle ashtu edhe me praninë online, qoftë për studentët apo edhe për lektorët.

Edhe këtë herë drejtues të kursi janë stafi i përgatitësve atletikë të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi në bashkëpunim edhe me specialistët e sektorit të edukimit në Federatën e Futbollit.

Përgatitësi atletik i Kombëtares shqiptare, Luca Laurenti, flet për rëndësinë e këtij formimi dhe shprehet se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe me lektorë me emër.

“Ky do të jetë kursi i dytë në këtë format që do të organizohet nga FSHF. Është i rëndësishëm, sepse është i vetmi që të jep të drejtën të kesh licencën për të ushtruar profesionin e përgatitësit atletik. Do të jetë një kurs shumë i rëndësishëm, sepse, nga edicioni tjetër çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë në skuadër një përgatitës atletik të licencuar. Ky kurs i FSHF-së është i vetmi që të licencon. Do të formojmë profesionistë që do ta ndihmojnë shumë futbollin shqiptar”, – thotë Laurenti, i cili zbulon më tej edhe emrat e lektorëve të rëndësishëm që do të jenë pjesë e këtij kursi përmes platformave online.

“Do të kemi disa profesorë që do të jenë lektorë në këtë kurs. Do të kemi 30 lektorë, 7 nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe 23 nga jashtë. Kemi si objektiv që t’u japim sa më shumë informacion personave që do të marrin pjesë në kurs, në mënyrë që të zgjerojnë diapazonin e tyre në këtë fushë. Nëse mund të përmend emra, do të kemi Roberto Sassin, që është një nga përgatitësit atletikë më të mirë në Itali, ka qenë për 7 vite përgjegjësi i përgatitjes atletik tek Juventusi, gjithashtu ka qenë tek Atletico Madridi, Valencia e Chelsea.

Do të jetë lektor Francesco Perondi, përgatitësi i kombëtares italiane të femrave, por që ka punuar edhe tek Interi e Lazio. Janë edhe shumë emra të tjerë mjaft të njohur, që nuk dua t’i zbuloj që tani, por edhe është vërtet një nder për ne që në këtë kurs do të ketë kaq shumë personazhe, që do na shërbejnë të gjithëve”, – shton Laurenti.

Sakaq, përgatitësi atletik i Kombëtares thekson se objektivi i Federatës është që kurse të tilla të zhvillohen edhe në vazhdim, pasi interesi është i madh.

“Do të jetë një kurs shumë intensiv, do të zgjasë për 5 javë. Leksione do të ketë 5 ditë të javës, 4 orë paradite dhe do të kemi edhe pasdite. Do të jenë gjithsej 106 orë punë. Duam të organizojmë të paktën një kurs çdo vit, do të shohim sa vetë do të marrin pjesë, por ky është objektivi”.

Kursi, që do të nisë më datë 27 prill 2021 dhe do të zgjasë një muaj, do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së.

Bëhet fjalë për një mundësi te shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat