FSHF: Dy emra me peshë të futbollit në Itali do jenë pjesë e lektorëve

Futboll

FSHF: Dy emra me peshë të futbollit në Itali do jenë pjesë e lektorëve

Më: 3 prill 2021 Në ora: 21:57
FSHF: Dy emra me peshë të futbollit në Itali do jenë pjesë e lektorëve

FSHF do të organizojë sërish kursin e përgatitësve atletikë, që do të nisë në fund të muajit prill pas suksesit të edicionit të kaluar, që u zhvillua në dhjetor me një format të ri.

Emra të njohur të futbollit ndërkombëtar do të vijnë si lektorë në kursin që do të zhvillohet online për të mundësuar pjesëmarrjen edhe të personave që nuk ndodhen fizikisht në Tiranë, por edhe profesorëve, të cilët jetojnë jashtë dhe nuk kanë mundësi të jenë në sallë.

Dy emra të rëndësishëm i shtohen listës së lektorëve. Bëhet fjalë për Franceso Perondi dhe Armando Fucci, dy përgatitës atletik profesionist të njohur në Itali, por edhe në Europë.
I diplomuar në “Institutin Superior të Edukimit Fizik” në Bologna, Francesco Perondi është aktualisht lektor pranë Qendrës Teknike të Federatës Italiane të Futbollit në Koverçiano.
Në karrierën e tij numëron eksperienca si përgatitës atletik në skuadrat më të mira italiane si Napoli, Bolonja, Torino, Lacio, Inter dhe së fundmi në Kombëtaren Italiane të femrave.

Ndërsa, Armando Fucci është diplomuar ne “Institutin Superior të Edukimit Fizik” në Napoli dhe ka punuar si përgatitës atletik në skuadra si Benevento, Noçerino, Xhenoa dhe një eksperiencë trevjeçare tek skuadra e Juventusit.
Ka punuar për shtatë vite në Universitetin e Romës “Tor Vergata” si lektor në masterin e Teorisë dhe Metodologjisë së Përgatitjes Sportive.
Në karrierën e tij numërohen shume shkrime në revista të specializuara të sektorit sportiv si dhe tetë libra mbi futbollin.

Bashkë me Roberto Sassi-n, ish-trajner i përgatitjes atletike të Juventusit, Chelsea-t e shumë klubeve të njohura europiane, dhe Davide Pisoni-n, trajner dhe përgatitës atletik i njohur në Itali, vijnë për të ofruar njohuritë dhe eksperiencën e tyre për pjesëmarrësit në kursin e organizuar nga FSHF.

Ashtu si herën e kaluar, kursi drejtohet nga stafi i përgatitësit atletikë në Sektorin e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti, Iris Selimi, por edhe ekspertë të fushës nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Kursi, që do të nisë më datë 27 prill 2021 dhe do të zgjasë një muaj, do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së.

Bëhet fjalë për një mundësi të shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat