Batatina: Jemi favorit ndaj Prishtinës, duam të fitojmë Kupën e Kosovës dhe të dalim në Evropë

Futboll

Batatina: Jemi favorit ndaj Prishtinës, duam të fitojmë Kupën e Kosovës dhe të dalim në Evropë

Më: 6 prill 2021 Në ora: 19:30
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina

Skuadra e Llapit përpara një ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme.

Klubi i Llapit luan nesër ndaj Prishtinës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 15:00.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina thotë se e ka përgatitur skuadrën në mënyrën më të mirë për ndeshjen e nesërme, ndërsa premtoi se do ta japin maksimumin.

“Qe tre ditë jemi duke stërvit në fushë me bari natyral, na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj një skuadre siç është Prishtina, por sa i përket çështjeve profesionale, jemi përgatitur që në këtë ndeshje të paraqitemi sa më mirë, do ta japim maksimumin dhe lojtarët janë të vetëdijshëm që kemi përpara ndeshjen kryesore për të arritur objektivin që e kemi me vite. Tani, fokusi ynë është ta marrim Kupën dhe të dalim në garat ndërkombëtare”, tha fillimisht Tahir Batatina.

Më pas, Batatina theksoi se skuadra e tij gëzon formë të jashtëzakonshme dhe fakti që ka objektiv të vetëm Kupën e Kosovës e favorizon atë për këtë duel.

“Nëse e shohim formën e skuadrave, atëherë edhe Prishtina edhe Llapi janë në formë të mirë në ndeshjet e fundit, përjashto duelin tonë të fundit ndaj Feronikelit, ku nuk u paraqitëm me formacionin bazë. Llapi gëzon formë të jashtëzakonshme dhe kjo më bën të mos i frikësohemi aspak formës së mirë të Prishtinës. Duhet të jemi të kujdesshëm, ne duhet ta bëjmë më të mirën, s’kemi opsione tjera, pasi jemi larg vendit të parë dhe të dytë në Superligë, pasi jemi larg. Jemi në dy bota të kundërta, ne jemi të fokusuar në Kupë, kurse Prishtina edhe në Kupë edhe në Superligë për titull, mendoj se kjo na favorizon paksa – pasi mund t’i ruajmë lojtarët dhe të paraqitemi sa më mirë”, vazhdoi ai.

Në fund Batatina potencoi se janë të kompletuar për këtë ndeshje, përjashto Mentor Zhdrellën i cili ende nuk dihet nëse do të paraqitet, shkaku i dëmtimit.

“Sa i përket ndeshjes nesër të gjithe jane ne dispozicion, pervec Mentorit qe ne dy tri ndeshje nuk luan dhe seshte neser ne 100%. Sonte do të kemi një takim me stafin mjekësor, ku do të na zbulojnë se a do të jetë gati Zhdrella të luajë apo jo”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat