Miraton statutin e ri dhe zgjedh delegatët për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Pranohen edhe anëtarët e ri

Futboll

Miraton statutin e ri dhe zgjedh delegatët për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Pranohen edhe anëtarët e ri

Më: 7 prill 2021 Në ora: 12:49
Miraton statutin e ri dhe zgjedh delegatët për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Pranohen edhe anëtarët e ri

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër zhvilloi ditën e sotme një mbledhje me të gjithë anëtarët e saj për të miratuar statutin e ri, zgjedhur delegatët që do ta përfaqësojnë në Asamblenë e FSHF dhe pranimin e anëtarëve të rinj.

Në fillim të mbledhjes kryetari i SHRFSH, Armando Cungu, pasi bëri me dije rendin e ditës, shpjegoi procesin e riorganizimit nevojën për përshtatjen e statutit me rregullat e reja te anëtarësisë ne FSHF.

Përveç anëtarëve të shoqatës i pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Federata e Futbollit përmes iniciativave të saj do të vijojë të mbështesë futbollin amator me financime dhe projekte infrastrukturore. Objektivi është që secila SHRF të organizojë në mënyrë të pavarur futbollin në ҫdo rajon.

Duka nënvizoi se ndryshimet statutore të dhjetorit të kaluar synojnë balancimin e aktorëve pjesëmarrës në Asamblen e Futbollit, përfaqësimin në mënyrë të barabartë të futbolli profesionist dhe atij amator me synimin që gjithkush që luan futboll në Shqipëri, djem dhe vajza, të jetë i përfaqësuar. Në të njëjtën frymë bëhen dhe Asambletë e Shoqatave Rajonale të Futbollit, që përfaqësimi i ҫdo anëtari në SHRF të jetë sipas peshës specifike të ҫdokujt, duke parë numrin e lojtarëve, me qëllimin e qartë: shtimin e futbollistëve.

Pas verifikimit të përbërjes së mbledhjes, u vijua me procesin e pranimit të anëtarëve të rinj në këtë shoqatë, që janë KF Tërbuni, KSSH Veleçiku, Sh. Futbollistëve ADA dhe akademia e KF Vllaznia. Subjektet në fjalë plotësojnë kriteret statutore për t’u anëtarësuar dhe kishin paraqitur pranë Shoqatës të gjithë dokumentacionin përkatës. Anëtarët e SHRFSH votuan unanimisht për pranimin e anëtarëve të rinj.

Më tej, u kalua në shqyrtimin e projekt-statutit të ri të shoqatës, që u ishte prezantuar më parë anëtarëve të SHRFSH e që u miratua gjithashtu me konsensus në përfundim të diskutimeve.

Në fund, u zgjodhën tre delegatët që do të përfaqësojnë shoqatën në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Teksa shpjegoi procesin dhe kriteret për zgjedhjen e delegatëve, kryetari i SHRFSH, Armando Cungu, shprehu besimin se emrat e propozuar Alfred Pjetri, Brikeno Bizi dhe Ferid Borshi do të përfaqësojnë me seriozitet shoqatën ne Asamblenë e radhës së FSHF.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat