Mbyllet java e 16-të e kampionatit të femrave

Futboll

Mbyllet java e 16-të e kampionatit të femrave

Më: 11 prill 2021 Në ora: 21:09
Mbyllet java e 16-të e kampionatit të femrave

Është mbyllur këtë të diel java e 16-të e kampionatit të femrave, me Vllazninë që vazhdon të ruajë kryesimin.

Ndeshja e parë e kësaj jave u zhvillua të shtunën mes Bilisht Sportit dhe Juban Danjës, me këto të fundit që triumfuan me rezultatin e thellë 0-10.

Shkodranet e hapën serinë e golave që në minutën e dytë me Cakën ndërsa pesë minuta më vonë dyfishon rezultatin Jaku, e cila shënoi edhe një gol tjetër në këtë ndeshje në minutën e 73-të të takimit. Cerkini dhe Kola shënojnë nga dy herë në këtë ndeshje, teksa kanë shënuar për Juban Danjën edhe Cerkini, Piranaj dhe Leba. Bilisht Sport vazhdon të jetë kështu në vendin e fundit me 0 pikë ndërsa Juban Danja renditet në vendin e pestë me 33 pikë.

Të dielën u zhvilluan edhe katër ndeshje të tjera të kësaj jave. Tirana AS priti në shtëpi Lushnjen, që e mundi 10-1. Goufran shënoi katër herë për kryeqytetaset, duke e shënuar golin e parë që në minutën e parë të takimit. Futbollistet Koldashi, Palaj dhe Mema shënuan  emrat e tyre në këtë fitore të thellë të Tirana AS, duke shënuar nga dy herë për Tirana AS. Golin e vetëm për lushnjaret e shënoi Cemeri në minutën e 88-të. Lushnja renditet në vendin e parafundit ndërsa Tirana AS në vendin e katërt në kuotën e 34 pikëve.

Tirana udhëtoi këtë javë drejt Shkodrës, ku mori një fitore mjaft të vyer ndaj skuadrës së AAS. 0-2 përfundoi kjo sfidë në favor të bardhebluve, për të cilat shënuan Gora dhe Alijaj. Tirana mban kështu vendin e tretë të klasifikimit me 36 pikë, ndërsa AAS në vendin e nëntë me 15 pikë.

Nga ana tjetër, skuadra tjetër kryeqytetase, Partizani mori një fitore mjaft të vyer ndaj Skënderbeut në kryeqytet. Për të kuqet shënoi dy herë Bilali, e cila kaloi në avantazh skuadrën e saj që në minutën e 3-të të takimit e më pas shënoi në minutën e 34-t.

Në Shkodër, Vllaznia fitoi me rezultatin 9-1 ndaj Kinostudios, që u tregua e pafuqishme përballë kampiones në fuqi. Shkodranet fituan një penallti në minutën e tretë të takimit, që u shndërrua në gol nga Megi Doçi, e cila shënoi edhe dy herë të tjera në këtë ndeshje, në minutat 24 dhe 35. Lufo shënoi një dy golësh në këtë takim ndërsa shënuan për Vllazninë edhe Maliqi, Franja, Gjergji e Kodra. Golin e vetëm për skuadrën e kryeqytetit e shënoi Cela në minutën e 82-të. Vllaznia vijon kështu të kryesojë bindshëm kampionatin ndërsa Kinostudio renditet e shtata në klasifikim pas javës së 16-të.

Ndeshja Teuta-Apolonia është shtyrë dhe do të luhet në një moment tjetër.

Pas javës së 16-të, renditja e skuadrave është si më poshtë:

Vllaznia 46 pikë

Apolonia 38 pikë*

Tirana 36 pikë

Tirana AS 34 pikë

Juban Danja 33 pikë

Partizani 25 pikë

Kinostudio 24 pikë

KF Teuta 16 pikë*

AAS 15 pikë

Skënderbeu 10 pikë

Lushnja 3 pikë

Bilisht Sport 0 pikë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat