Ja pse kjo figurë ndihmon në zhvillimin e futbollit shqiptar

Futboll

Ja pse kjo figurë ndihmon në zhvillimin e futbollit shqiptar

Më: 13 prill 2021 Në ora: 12:46
Ja pse kjo figurë ndihmon në zhvillimin e futbollit shqiptar

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë së shpejti kursin e radhës për video-analistë futbolli. Kursi që do të udhëhiqet nga drejtuesi i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF, Alarico Rossi dhe do të zhvillohet në datat 19-24 prill në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Ky do të jetë edicioni i tretë, ndërkohë që interesi ka qenë i lartë për këtë figurë, që po bëhet gjithmonë e më shumë i rëndësishme për stafin e një klubi në futbollin modern.

Në Shqipëri po shohim frytet e para të punës së Federatës së Futbollit, me video-analistë në ekipet kombëtare të moshave, por së fundmi kjo figurë është integruar edhe në klubet e Kategorisë Superiore.

Një nga pjesëmarrësit e parë të këtij kursi, Kladi Kenga, tregon eksperiencën e tij dhe thekson se pas marrjes së diplomës ai nisi menjëherë punën si video-analist me klubin e Apolonisë, duke qenë një pikë referimi për stafin teknik. Klajdi është personi i cili bën kërkime, mbledh, analizon dhe siguron të gjitha llojet e informacionit për stafin e tij, lojtarët dhe drejtuesit e klubit që militon në Kategorinë Superiore.

“Në shtator të viti të kaluar kam kryer kursin e video-analistit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe tashmë jam pjesë e KF Apolonia në rolin e video-analistit. Roli i video-analistit është thelbësor, sepse ndihmon trajnerët dhe lojtarët në marrjen e vendimeve të duhura për të arritur objektivat e tyre. Gjithashtu, roli i video-analistit ndihmon çdo skuadër në bazë të statistikave për të studiuar sa më mirë ekipin kundërshtar me video-analiza dhe me analiza statistikore për të parë dhe marrë vendimet e duhura sa i përket rivalit të ndeshjes”, thotë Klajdi duke folur për fshf.org, teksa ka edhe një apel për të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e futbollit.

“Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kursi, sepse ju ndihmon ju dhe futbollin shqiptar për zhvillimin e tij dhe arritjen e rezultateve optimale në arenën ndërkombëtare”.

Në planet e Federatës për sezonet e ardhshme është përcaktuar përfshirja e video-analistit në të gjitha stafet e Kategorisë Superiore. Video-analisti është një figurë e pranishme në të gjithë stafet e nivelit profesionist në futbollin ndërkombëtar dhe që luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në çdo klub.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat