Shqiptarët, garën e kanë me rivalët përballë

Futboll

Shqiptarët, garën e kanë me rivalët përballë

Më: 13 prill 2021 Në ora: 19:18
Shqiptarët, garën e kanë me rivalët përballë

Garën e kanë me rivalët përballë, por deri diku edhe me njëri-tjetrin. Futbollistët shqiptarë në Europë janë në konkurrencë për numrin e golave të shënuar në ligat ku bëjnë pjesë dhe këtë renditje të veçantë e kryeson Myrto Uzuni.

Sulmuesi i kombëtares ka realizuar deri tani 10 herë për Ferencvaros në elitën e futbollit hungarez, duke qenë edhe i vetmi nga kuqezinjtë që e ka këtë numër me dy shifra.

Edhe pse nuk mund të pretendojë të jetë “Këpuca e Artë” e Superligës së Hungarisë, sërish shqiptari mund të ngjitet deri në vendin e dytë që e mban Gazdag i Honvedit me 13.

Po ashtu, 25-vjeçari beratas mund të fitojë në fund të sezonit një “Këpucë të Artë” simbolike mes lojtarëve të Shqipërisë.

Pas Uzunit janë dy sulmues me nga 9 gola. Armando Broja po shkëlqen në Superligën e Holandës në radhët e Vitesse, duke qenë zbulimi i sezonit dhe një nga lojtarët më të mirë të ekipit.

Falë edhe golave të tij, Vitesse është në vendin e katërt në renditje duke lënë pas Feynordin e duke pretenduar kualifikimin për në kupat europiane për sezonin e ardhshëm. Gjithashtu, 19-vjeçari është në finalen e Kupës përballë Ajax.

Rey Manaj është gjithashtu në formë tek Barcelona B, duke shënuar 9 gola në pretendim për t’u ngjitur në Ligën e dytë të Spanjës. Sulmuesi 24-vjeçar ka marrë vlerësime në të kaluarën edhe nga Leo Mesi, dhe mbetet një lojtar në konsideratë të trajnerit të ekipit të parë, Ronald Koeman.

Futbollisti tjetër i dalluar i kombëtares lidhur me tundjen e rrjetës është Eduart Rroca. Mesfushori nga Librazhdi po shkëlqen në sezonin e tij të parë me Istanbulsporin në Ligën e Parë të Turqisë, ku ka shënuar 8 gola e ka shërbyer 12 asistë.

Sezonin e ardhshëm ai do të jetë në Superligë, ose me Istanbulsporin, ose duke kaluar në një ekip tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat