Ndizet gara në Kupën e Shqipërisë

Futboll

Ndizet gara në Kupën e Shqipërisë

Më: 14 prill 2021 Në ora: 11:09
Ndizet gara në Kupën e Shqipërisë

Në një edicion të modifikuar për shkak të pandemisë dhe me ndeshje teke për çdo raund, Kupa e Shqipërisë ka mbërritur në fazën gjysmëfinale të saj dhe pasditen e sotme do të mësohen edhe dy skuadrat që do të provojnë të ngrenë lart këtë trofe.

Kështu vetëm katër ditë pas përballjes për kampionat në Laç, Vllaznia do të presë kurbinasit në “Loro Boriçi”, këtë herë në një trofe tjetër, por që gjithashtu synohet të fitohet nga të dy skuadrat.

Sfida e të shtunës ishte e luftuar në çdo centimetër dhe e balancuar në të gjithë drejtimet, teksa edhe sot pritet një përballje spektakolare, por në fund vetëm njëra prej skuadrave do të ketë mundësinë të festojë kalimin në finale.

Po në orën 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit do të luhet gjysmëfinalja tjetër, ajo mes Teutës vendase dhe Skënderbeut. Të dy skuadrat kanë objektiva të ndryshëm këtë sezon, me durrsakët që kryesojnë dhe synojnë titullin, dhe korçarët që po luftojnë për mbijetesën, por pa harruar edhe Kupën, të cilës i janë afruar ndjeshëm.

Të dy këto skuadra do të përballen edhe në fundjavë për kampionat, aty ku sfida do të ketë gjithashtu një rëndësi maksimale, megjithatë më parë vëmendja do të jetë të jetë te sfida e sotme, ku do të caktohet finalistja tjetër e Kupës.

Të dy sfidat gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, teksa nuk do të mungojë as emisioni tradicional dedikuar futbollit vendas “Gol pas Goli”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat