Bisedime për Donnarummën

Futboll

Bisedime për Donnarummën

Më: 16 prill 2021 Në ora: 12:07
Bisedime për Donnarummën

Një javë më parë Paolo Maldini kishte lënë të kuptohej se rinovimi i Zlatan Ibrahimovic ishte diçka e kryer, ndërsa sot mund të vijë edhe firma e shumëpritur, pasi menaxheri Mino Raiola pritet sot në Milano, ku ka planifikuar një takim me drejtuesit e klubit kuqezi.

E pashmangshme që përveç rinovimit të Ibrahimovic, të diskutohet edhe për kontratën e re të portierit Donnarumma, bashkëpunimi me të cilin përfundon në verën e këtij viti dhe klube si Juventusi e Chelsea janë vënë në lëvizje për ta joshur.

Sa i përket Ibrahimovic, marrëveshja për kontratën e re është arritur mbi bazën e një page bazë prej 6.5 milionë eurosh, që shkon në 7 bashkë me bonuset, ndërsa sulmuesi suedez ka marrë përsipër të shmangë të gjithë angazhimet jashtë fushës së futbollit, siç ishte festivali i Sanremos këtë vit.

Palët janë shumë pranë firmës, ndërsa në Milano janë të bindur që firma mbi kontratën e re mund të hidhet që sot, ndërsa në ditët e ardhshme pritet të vijë edhe njoftimi zyrtar për rinovimin e njërit prej futbollistëve më të rëndësishëm të kuqezinjve.

Megjithatë situata duket shumë më e komplikuar për portierin Donnarumma, i cili edhe në 2017-ën rinovoi me shumë vështirësi, ndërsa momentalisht palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës, sa i përket ofertës dhe kërkesës.

Raiola pretendon një pagë prej 10 milionë eurosh neto, plus dy të tjera bonus për portierin, për të zgjatur me një vit kontratën, ndërsa te Milani janë gati t’i japin vetëm 7 milionë euro, plus një tjetër bonus, pasi nuk mund të shkojnë përtej limiteve të tyre ekonomike.

Përfshirja në garë e disa klubeve të mëdha europiane, ka bërë që drejtuesit e Milanit të stepen disi në negociatat për rinovimin me Donnarummën dhe të përgatisin një plan B, megjithatë nga takimi i sotëm me Raiolën pritet të vendoset shumë për të ardhmen e gardianit 22-vjeçar italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat