Rruga drejt Europës dhe titullit

Futboll

Rruga drejt Europës dhe titullit

Më: 17 prill 2021 Në ora: 12:12
Rruga drejt Europës dhe titullit

Partizani i këtij sezoni ka kaluar pritshmërinë, pasi pakkush priste që të kuqtë të ishin kaq konkurrues duke pasur parasysh problemet e edicionit të kaluar, apo edhe verën e turbullt me dënimin e FIFA-s.

Nën drejtimin e Ilir Dajës, ekipi ka bërë mjaft mirë dhe ka qenë gjithmonë në garë për kreun, duke qëndruar deri në fund pjesë e luftës e dukë synuar tashmë qartësisht në fazën e katërt që të çojë misionin deri në fund.

Me sulmin më të mirë të kampionatit edhe pa një sulmues të mirëfilltë qendre, mbrojtjen e dytë më të mirë edhe pse alternativat në repart ishin të detyruara për shkak të FIFA-s, si dhe Ferhan Hasanin që po kthehet në formën më të mirë në momentin kyç të sezonit, faza e katërt mund të jetë shumë interesante për Partizanin.

Ai është treguar i fortë me skuadrat pretendente, por ka lënë pikë rrugës me ekipe që gjenden shumë më poshtë në klasifikim, si humbjet me Kastriotin apo me Skënderbeun, 2 nga vetëm 4 disfatat që kanë pësuar në këtë edicion.  

Të kuqtë kanë fatin e tyre në dorë dhe me vetëm 2 pikë larg kreut, titulli duket objektiv i arritshëm, edhe pse nuk ishte aspak në objektivat në fillimin e sezonit. Për ta do të jenë vendimtare ndeshjet përmbyllëse të kësaj faze, ku pas derbit përballen menjëherë radhazi me Teutën e Vllazninë, tre ndeshje që me shumë mundësi do të jenë ato që vendosin fatin e skuadrës kryeqytetase.

Në luftën e dueleve direkte, në rast të përfundimit të kampionatit me pikë të barabarta, Partizani ka avantazh të siguruar ndaj Tiranës që e ka mundur dy herë dhe një ndeshje e tretë është ndarë në në barazim.

Ndërkohë, i duhet të rikuperojë ndaj Vllaznisë dhe Laçit, të cilat e kanë mundur nga një herë, ndërsa 2 sfidat e tjera me to janë mbyllur në barazime. Kurse me Teutën, bilanci mes skuadrave flet për tre barazime dhe ndeshja e fazës së katërt do të jetë përcaktuese se kush mund të ketë një avantazh minimal në renditje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat