Memelli, sërish kundër Teutës

Futboll

Memelli, sërish kundër Teutës

Më: 17 prill 2021 Në ora: 15:14
Memelli, sërish kundër Teutës

Pasi e mundi në mesjavë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, e pret nesër në Korçë, në kuadrin e javës së 28-të të kampionatit. Skënderbeu po kalon një moment pozitiv, edhe pse ndodhet në zonën e mbijetesës, tejet i rrezikuar. Për t’i ushqyer shpresat e qëndrimit të Superiore nevojiten pikët e plota nesër, ndaj Teutës, me të cilën, sikurse thamë më sipër, e bëri “nxehjen” të mërkurën, kur e eliminoi në mënyrë të papritur. Trajneri Migen Memelli ka folur me optimizëm dhe vlerësim për skuadrën e tij:

“Është ndeshja e radhës, që ka rëndësinë e vet. Padiskutim që Teuta ka kualitete brenda, është një skuadër me eksperiencë. Duke parë çfarë kemi bërë në javët e fundit, si skuadër dhe individualisht, kam besim të jashtëzakonshëm se lojtarët do të zhvillojnë një ndeshje të mirë nesër. Do të futemi në lojë për të marrë maksimumin.

Nëse performanca do t’i përgjigjet takimit, nëse niveli i intensitetit dhe ana psikologjike do të jetë e duhura, ku unë insistoj që të rrimë tek ai nivel ku kemi qenë në ndeshjet e fundit, besoj se skuadra do të marrë maksimumin, që janë tri pikët. Është një ndeshje me të tria rezultatet brenda, por ne kërkojmë të marrim më të mirën.

Na mungon vetëm Pusi, ka një kontraktim në pjesën e kofshës. Jemi në lartësinë e duhur, besoj që edhe nesër lojtarët do të bëjnë më të mirën. Kemi diskutuar me ekipin rreth asaj që bëmë në takimin e shkuar. Do të kemi edhe sot një bisedë, do të analizojmë gjërat pozitive dhe negative, sepse kështu përmirësohemi.

Më vjen mirë që lojtarët janë koshientë dhe janë përmirësuar goxha gjatë gjithë këtyre javëve. Jam i lumtur për ta, sepse kam gjetur një skuadër me lojtarë cilësorë nga ana individuale. Ajo çfarë mungonte ishte pjesa e grupit, të cilën ata e kanë fituar tashmë.    

Euforia? Nuk më tremb, pasi iu kërkoj çdo ditë lojtarëve që të qëndrojnë me këmbë në tokë. Skënderbeu është një klub që i distancon ata që kërkojnë të bëjnë gjëra individuale. Ajo çfarë kërkohet në klub është të jepet maksimumi për skuadrën dhe fanellën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat