​Dhuna në stadiumet e Kosovës, reagon ashpër Federata e Futbollit

Futboll

​Dhuna në stadiumet e Kosovës, reagon ashpër Federata e Futbollit

Më: 18 prill 2021 Në ora: 20:00
Foto ilustrim

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar ashpër pas disa incidenteve që kanë ndodhur në javët e fundit në disa prej stadiumeve të futbollit në Kosovë ku kanë mbetur të lënduar disa lojtarë, gjyqtarë e tifozë.

FFK në reagimin e saj ka bërë thirrje që në këtë drejtim të ndihmojnë edhe organet e rendit ndërsa ka bërë të ditur se veprime të tilla nga njerëz të papërgjegjshëm nuk do të tolerohen, përcjellë KosovaPress.

Ky është reagimi i plotë i FFK-së:

Federata e Futbollit e Kosovës i ka parë me shqetësim incidentet e ndodhura gjatë kësaj fundjave në disa prej stadiumeve tona.

Me këtë rast e dënojmë ashpër dhunën e shfaqur në ndeshjen e Ligës së Parë, Ferizaj – Ulpiana dhe në dy ndeshjet e Ligës së Dytë, Fushë Kosova – Vjosa dhe Minatori – Behari.

Për FFK-në çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat. Ftojmë të gjitha organet dhe komisionet tona që gjatë ditëve në vazhdim të shqyrtojnë e të analizojnë në detaje ngjarjet e ndodhura këtë fundjavë dhe të ndërmarrin masat e duhura ndaj të gjithë të përfshirëve në këto skena të pahijshme. Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra.

FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat