Pse ky vendim i 12 klubeve po konsiderohet si tronditja më e madhe në historinë e futbollit

Futboll

Pse ky vendim i 12 klubeve po konsiderohet si tronditja më e madhe në historinë e futbollit

Më: 19 prill 2021 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Të dielën në mbrëmje, 12 klube europiane të futbollit njoftuan formimin e një gare të re, Super League, pasuar nga kritika nga qeveritë, federatat e futbollit, UEFA apo mbështetësit në të gjithë botën. Vendimi i tyre u konsiderua si tronditja më e madhe në futbollin europian, megjithëse UEFA u shpreh se do të luftojë atë që u quajti “një projekt cinik të krijuar për interesin e disa klubeve”.

Cilët janë 12 klubet themeluese?

Milan, Arsenal, Atlético Madrid, Chelsea, Barcelona, Inter, Juventus, Liverpool, Manchester City, Manchester United, Real Madrid dhe Tottenham.

Po klubet gjermane dhe franceze?

Ata kanë thënë se aktualisht nuk janë të interesuar të bashkohen me projektin.

A do të largohen 12 klubet nga kampionatet e brendshme?

Për momentin, ata shpresojnë të vazhdojnë të luajnë në këto gara, por federatat kanë publikuar deklarata të forta duke dënuar shkëputjen e tyre.

Sa para përfshihen?

Shumë, siç mund ta imagjinoni. Në deklaratën e 12 klubeve u tha: "Klubet themeluese do të marrin një shumë prej 3.5 miliardë euro vetëm për të mbështetur planet e tyre të investimeve në infrastrukturë dhe për të kompensuar ndikimin e pandemisë Covid [...] Turneu i ri vjetor do të sigurojë një rritje ekonomike dhe mbështetje dukshëm më të madhe për futbollin europian ..dhe [pagesat e solidaritetit] pritet të jenë më të larta se 10 miliardë euro gjatë periudhës fillestare të angazhimit të klubeve."

Kur do të fillojë?

Klubet thanë në deklaratën e tyre se ata po kërkonin të fillonin garën në gusht.

Çfarë pretendojnë organizatorët?

Florentino Pérez, presidenti i Real Madrid dhe kryetari i parë i Super League, tha: “Ne do ta ndihmojmë futbollin në çdo nivel dhe do ta çojmë atë në vendin e tij të duhur në botë. Futbolli është sporti i vetëm global në botë me më shumë se katër miliardë tifozë dhe përgjegjësia jonë si klube të mëdha është t'u përgjigjemi dëshirave të tyre."

Reagimet

UEFA, Premier League, English Football Association, La Liga dhe Serie A, në një deklaratë të përbashkët, e cilësuan formimin e Super League si një “projekt cinik të bazuar te interesi i disa klubeve”. UEFA, që merret edhe me garat kualifikuese në Kupën e Botës, u shpreh se futbollistët që do të shkëputen, mund të mos luajnë në Kupën e Botës organizuar nga FIFA.

Në reagimin zyrtar, FIFA theksoi: “Sipas mendimit tonë, dhe në përputhje me statutet tona, çdo garë futbolli, qoftë kombëtare, rajonale apo globale, duhet të pasqyrojë gjithmonë parimet thelbësore të solidaritetit, përfshirjes, integritetit dhe rishpërndarjes së drejtë financiare. Përkundër këtij sfondi, FIFA mund të shprehë vetëm mosmiratimin e saj për një "ligë të mbyllur europiane të shkëputur" jashtë strukturave ndërkombëtare të futbollit që nuk respekton parimet e lartpërmendura.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat