Njoftim zyrtar nga Superliga Evropiane: Do t’i rishikojmë hapat për ta riformuar projektin

Futboll

Njoftim zyrtar nga Superliga Evropiane: Do t’i rishikojmë hapat për ta riformuar projektin

Më: 21 prill 2021 Në ora: 07:13
Ilustrim

Superliga Evropiane ka lëshuar një komunikatë 48 orë pas njoftimit fillestar duke deklaruar se do t’i rishikojnë hapat më të përshtatshëm për ta riformuar projektin.

Në bazë të këtij njoftimi, nuk bëhet fjalë për suspendim të tërësishëm, por është janë lënë pezull të gjitha planet për një periudhë të pacaktuar.

“Superliga Evropiane është e bindur se ‘status-quo’ aktuale e futbollit evropian duhet të ndryshojë. Ne po propozojmë një garë të re evropiane, sepse sistemi ekzistues nuk funksionon. Propozimi ynë kishte për qëllim që ta lejonte sportin të zhvillohej ndërkohë që gjeneronte burime dhe stabilitet për një piramidë të plotë të futbollit, duke përfshirë ndihmesën për tejkalimin e vështirësive të përjetuara nga i gjithë komuniteti i futbollit si rezultat i pandemisë”.

“Përkundër largimit të njoftuar nga klubet angleze, të detyruar që të ndërmerrnin vendime të tilla për shkak të presioneve ndaj tyre, ne jemi të bindur se propozimi ynë është plotësisht në linjë me ligjin evropian dhe rregulluar, ashtu siç është dëshmuar sot (e martë) përmes vendimit të gjykatës për ta mbrojtur Superligën nga veprimet e palëve të treta”.

“Duke marrë në konsideratë rrethanat aktuale, do t’i rishqyrtojmë hapat më të përshtatshëm për ta riformuar projektin, gjithmonë duke pasur në mendje objektivat tona për t’u ofruar tifozëve përvojën më të mirë të mundshme ndërkohë që rritim pagesat e solidaritetit për të gjithë komunitetin e futbollit”, thuhet në komunikatë.

Themelues të kësaj iniciative ishin 12 klube evropiane, ndërsa gjashtë prej tyre angleze, të cilët u tërhoqën zyrtaresh. Dy klubet nga Milano, Inter dhe Milan, janë pranë largimit, kurse Barcelona varet nga asamblistët. Që do të thotë se tash për tash mbesin vetëm Juventusi, Real Madridi dhe Atletico Madridi.

Pas një takimi të të martës mbrëma, i gjithë projekti është ndalur, mirëpo është lënë dera hapur që në të ardhmen të vazhdojë ky projekt me disa ndryshime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat