Roma ende shpreson

Futboll

Roma ende shpreson

Më: 21 prill 2021 Në ora: 17:03
Roma ende shpreson

Humbja ndaj Torinos në fundjavën që lamë pas ka komplikuar arritjen e një vendi në zonën Champions për Romën, që tani do të duhet të përqendrohet te Europa League, si një rrugë për të siguruar një biletë për në kompeticionin më të rëndësishëm për klube sezonin e ardhshëm.

Në prag të sfidës me Atalantën nesër në mbrëmje, tekniku verdhekuq Paulo Fonseca ka folur për ecurinë e Romës këtë sezon dhe ka bërë apel që skuadra të japë më të mirën deri në fund, i bindur se gara për zonën Champions është ende e hapur.

“Nuk jam shumë i kënaqur, pasi mund të kishim bërë më mirë, por jemi në këtë situatë dhe pres që skuadra të respektojë deri në fund kampionatin, pasi kemi ende shanse të arrijmë objektivin tonë. Deri në mars ishin mes 4 të parave, por më pas mbetëm vetëm ne në Europë dhe u detyruam të bëjmë shpesh ndryshime në formacion, të cilat na kushtuan.

Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e Atalantës dhe të bëjmë një figurë sa më të mirë, për të rihapur shpresat për zonën Champions”, deklaroi portugezi.

Në kulmin e debatit për Super Ligën, një projekt i cili u ndërpre pa nisur mirë ende, edhe Fonseca nuk ngurroi të japë mendimin e tij, duke u shprehur krenar që është pjesë e një klubi, i cili refuzoi të vërë interesat personalë mbi ato të futbollit e tifozëve.

“Ashtu si thuajse të gjithë trajnerët, edhe unë jam plotësisht kundër idesë së Super Ligës. Jam krenar që jam pjesë e një klubi, që demonstroi se primare nuk janë paratë, por tifozët, futbollistët e trajnerët. Jam krenar me pozicionimin e Romës në këtë çështje”, u shpreh tekniku i verdhekuqve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat