Mesfushori i Milanit: Na mungon Ibra

Futboll

Mesfushori i Milanit: Na mungon Ibra

Më: 23 prill 2021 Në ora: 16:54
Mesfushori i Milanit: Na mungon Ibra, ndaj Lacios një tjetër finale

Ndaj Sasuolos ishte ndër më pozitivët për Milanin dhe jo vetëm për asistin ndaj Çalhanoglusë. Aleksis Selemkers anashkalon paraqitjen e tij duke i kushtuar vëmendje asaj ekipore e cila të mërkurën nuk ishte në lartësinë e duhur. Mesfushori belg ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit ku ka analizuar disfatën e fundit, por pa iu shmangur përgjegjësive të tij dhe shokëve për fundin e sezonit ku “Djalli” do të kërkojë një rikthim në Ligën e Kampioneve që mungon prej shtatë sezonesh.

Përse dështuat të ruanit avantazhin duke pësuar këtë disfatë?

Në pjesën e parë punuam si duhet e duke arritur të shënojmë, por dështuam në realizimin e një goli të dytë që do të kishte ndryshuar gjithçka. Nuk ishim as të kthjellët në pasimet kyçe.

Po thoni se mungoi qartësia e ideve?

Siç thashë na mungoi goli që do të mbyllte çdo diskutim. Në çerekorëshin e fundit nuk ishim në lartësinë e duhur e nuk patëm as fatin me vete. Tani na ngelet vetëm të ulim kokën e të mendojmë për ndeshjet e radhës që do të jenë gjithnjë e më të vështira.

Sidomos ajo e së hënës ndaj Lacios apo jo?

E dimë peshën e atij takimi, sepse përveç pikëve, Lacio është edhe rivale në rrugëtimin tonë për një vend mes katër të parave. Duam të tregojmë se sa vlejmë dhe se çfarë ekipi jemi ndaj çdo rivali.

Si fitohet ndaj Lacios?

Janë një skuadër e fortë dhe kanë rigjetur një bomber si Imobile. Kundër Lacios do të nevojitet një ndeshjes si ajo e fazës së parë ku luajtëm mirë dhe e merituam fitoren. Uroj të jetë kështu edhe këtë herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat