Zbulohen kontratat e Superligës

Futboll

Zbulohen kontratat e Superligës

Më: 23 prill 2021 Në ora: 19:14
Zbulohen kontratat e Superligës

Të gjithë klubet që u larguan nga Superliga, do të duhet të paguajnë një gjobë marramendëse për thyerje të kontratës me një shumë prej rreth 130 milionë paund. Kjo është ajo që u mësua nga dokumentet e publikuara nga “Der Spiegel” që ka siguruar një kopje të kontratës që kanë firmosur 12 klubet që iniciuan këtë projekt.

Edhe pse ai pësoi kolaps pa kaluar mirë 48 orë, tashmë kuptohet qartësisht pse kishte hezitim që në fillim për tërheqjen dhe sidomos pse Reali e Barcelona vazhdojnë të insistojnë se asgjë nuk ka përfunduar e ky projekt është themelor për të ardhmen e tyre, shkruan vipsport.

Dokumenti në fjalë parashikonte se klubet që thyenin marrëveshjen duhej të paguanin këtë penalitet të rëndë prej 130 milionë paund dhe ndonëse klubet për momentin kanë nisur procedurat e shkëputjes, asnjë nuk e ka bërë përfundimisht pa saktësuar këtë pikë.

Reali dhe Barça, të dy klubet që nuk kanë lajmëruar ende tërheqjen, është mësuar se do të përfitonin një kuotë ekstra prej 60 milionë eurosh, me 30 milionë euro që do t’u kalonte në secilin prej dy viteve në vijim. Një ndihmë për dy klubet spanjolle që po përballen me borxhe të jashtëzakonshme dhe për momentin duken në vështirësi të mëdha financiare.

Njëkohësisht, në këto dokumente përshkruheshin edhe detaje të tjera si ajo ku klubet kishin të drejtën të transmetonin vetëm 4 prej ndeshjeve të tyre, që do t’i garantonin të ardhura të tjera të ndjeshme pasi secili mund të negocionte shitjen e të drejtës televizive.

Gjithsesi, projekti mund të cilësohet i dështuar, pasi edhe mbështetësi kryesor, fondi i investimit “JP Morgan”, me një deklaratë zyrtare njoftoi tërheqjen nga projekti në fjalë i cili i dëmtoi rëndë reputacionin dhe uli standardin e tij të vlerësimit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat