Flick: Bayern, erdhi ora e titullit

Futboll

Flick: Bayern, erdhi ora e titullit

Më: 24 prill 2021 Në ora: 11:15
Flick: Bayern, erdhi ora e titullit

Është momenti duhur për t’u shpallur kampion. Sot në Mainc, Bajerni do të fitonte titullin e nëntë radhazi dhe të 31-tin në historinë e klubit. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse fiton ndaj Maincit. Trajeri Hansi Flik është i sigurt se skuadra e tij do të bëjë ndeshjen perfekte për t’u rikthyer në Mynih me titullin në xhep. 56-vjeçari foli, gjithashtu për ofendimet që i janë bërë Hasan Salihamixhiçit dhe rikthimit të Robert Levandovskit në skuadër.

Do të jetë Levandovski?

Ai ka një objektiv të madh, të thyejë rekordin e Mylerit. Robert do të udhëtojë me skuadrën në Mainc, ashtu si dhe Leon Gorecka. Gnabri dhe Roka janë ende në dyshim. Më vjen mirë që skuadra po rikthehet e plotë.

Do të ishte një titull i merituar?

Kampionati është baza e gjithçkaje, është ai që na jep mundësi për të luajtur në Champions. Titulli është objektivi ynë i parë, kështu ka qenë gjithmonë. Të qëndrosh në vend të parë pas 34 javësh është sfida më e madhe. Në javët e fundit kemi treguar se i kemi të gjitha cilësitë për ta fituar kampionatin. Nesër (sot) duam të shpallemi kampionë, por e dimë gjithashtu që Mainc është në formë të mirë. Kanë gjashtë ndeshje që nuk njohin humbje dhe ndaj nesh do të kërkojnë të na prishin festën. Kam parë disa ndeshje dhe ata me të vërtetë janë një skuadër e mirë.

Ka qenë ky një sezon i lodhshëm?

Në javët e fundit kemi patur shumë ndeshje, përfshi këtu dhe ndeshjet e kombëtares. Duhet të rishikohet edhe njëherë tjetër në këtë drejtim. Lodhja e lojtarëve ka qenë e madhe dhe si rrjedhojë kanë ardhur edhe dëmtimet. Duhet ruajtur një balancë.

Më parë titulli pastaj thyerja e rekordit të 40 golave?

Është e rëndësishme që mbyllim kapitullin e kampionatit. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur. Leva nuk luan prej katër ndeshjesh, tani është në formë të mirë dhe është stërvitur i plotë me skuadrën. Skuadra do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar që të shënojë golat që i duhen, por në plan të parë për ne qëndron vetëm titulli.

Si do ta komentonit rikthimin e Karl Hainc Rumeniges në komitetin e UEFA-s?

Ai ka shumë eksperiencë në këtë fushë. Ka pak njerëz që mund ta bëjnë atë punë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme si për ne por edhe për futbollin gjerman në përgjithësi.

Do të ketë festë nëse fitoni ndaj Maincit?

Së pari duhet të fitojmë, pastaj nëse ia arrijmë, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por, në fillim duhet të kthehemi me titullin në Mynih.

Ditët e fundit ka patur shumë fyerje në rrjetet sociale ndaj Salihamixhiçit, cili është komenti juaj?

Është diçka e vështirë për t’u shpjeguar. Askush nuk do të ndihej mirë kur i sulmohet familja. Unë s’kam patur kurrë asgjë personale me Brazon. Çdo diskutim kishte të bënte me punën dhe për të mirën e Bajernit. Këto lloj gjërash kalojnë çdo cak. Duhet të heqin dorë sa më parë nga këto lloj sjelljesh, nuk i shërben askujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat