Favorit është Luciano Spalletti

Futboll

Favorit është Luciano Spalletti

Më: 24 prill 2021 Në ora: 13:58
Favorit është Luciano Spalletti

Gennaro Gattuso nuk do të jetë trajner i Napolit për sezonin e ardhshëm, ndërsa presidenti De Laurentiis ka nisur punën për të gjetur një tjetër emër për pankinën dhe sipas mediave italiane favorit është Luciano Spalletti.

I mbetur pa punë prej dy sezonesh, kur u shkarkua nga Interi, Spalleti është gati të rikthehet dhe javët e fundit ka intensifikuar kontaktet me drejtorin sportiv të Napolit, Giuntoli, por edhe me presidentin De Laurentiis.

Ky i fundit preferonte Massimiliano Allegrin, por pretendimet e mëdha të teknikut italian kanë sjellë ndërprerjen e negociatave, ndërsa ka rënë poshtë edhe opsioni për trajnerin e Empolit, Dionisi, që nuk ka eksperiencën e duhur për nivele të tilla.

Sa i përket Maurizio Sarrit, sezoni i ri me shumë gjasë do ta gjejë në pankinën e Romës, pasi verdhekuqtë kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me Paulo Fonsecën dhe prej kohësh negociojnë me ish trajnerin e Napolit dhe Juventusit.

Ndryshime pritet të ketë edhe në pankinën e Fiorentinës, që aktualisht drejtohet nga tekniku i përkohshëm Giuseppe Iachini, ndërsa në verë presidenti Commisso pritet t’ia besojë stolin Gennaro Gattusos, pasi të dy kanë të përbashkët edhe origjinën kalabreze.

Valsi i ndryshimeve në pankinë mund të prekë edhe klubet si Inter dhe Juventus, pasi tekniku i zikaltërve Antonio Conte ka kërkuar qartësi për të ardhmen, ndërsa Andrea Pirlo nuk ka bindur aspak në eksperiencën e tij të parë në stolin bardhezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat