Zaganjori, një shkodran premtues për mesfushën e Kombëtares së Shqipërisë

Futboll

Zaganjori, një shkodran premtues për mesfushën e Kombëtares së Shqipërisë

Më: 25 prill 2021 Në ora: 19:09
Zaganjori, një shkodran premtues për mesfushën e Kombëtares së Shqipërisë

Ersi Zaganjori është një prej lojtarëve më interesantë që aktualisht militon në ekipin Kombëtar U-17. Shkodrani i talentuar ka spikatur që në moshë të vogël dhe ka qenë fillimisht pjesë e ekipit Kombëtar U-15 ku ka bërë paraqitje të mira për të vijuar më pas me ekipin Kombëtar U-17, tashmë nën drejtimin e trajnerit Ervin Bulku.

16-vjeçari Zaganjori luan në pozicionin e mesfushorit dhe është rritur në akademinë e klubit të Vllaznisë, ndërsa premton shumë për të ardhmen duke parë cilësitë që ka edhe pse është në moshë ende shumë të re. Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Ersi Zaganjori tregon se si i hodhi hapat e parë në futboll, eksperiencën e tij të deritanishme me ekipet Kombëtare dhe qëllimet që ai ka në të ardhmen, qoftë me përfaqësuesen, qoftë në nivel klubi.

 Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Pasioni im për futbollin ka lindur që në moshë fare të vogël në fakt. Madje, që në moshën 3-vjeçare kam nisur të luaj me top si çdo fëmijë dhe gjyshi im ishte i pari që spikati prirjet e mia në këtë drejtim. Ishte ai që më mësoi pak nga pak lojën e futbollit. Ndoshta i ndikuar edhe nga fakti që ai vetë ka luajtur futboll kur ka qenë i ri.

– Prej kohësh je pjesë e ekipeve Kombëtareve të moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Marrëdhënia ime me grupin dhe trajnerin e Kombëtares U-17 është mjaft e mirë. Kemi krijuar lidhje mjaft të mira me njeri-tjetrin dhe jemi një grup shumë i bashkuar, pasi kemi kohë që njihemi e punojmë së bashku. Unë jam pjesë e Akademisë Vllaznia prej afërsisht 10 vitesh. Ecuria ime me klubin ka qenë e mirë edhe pse gjatë sezonit kemi bërë disa gabime. Por tashmë mendoj se jemi forcuar dhe po luftojmë për zonën e play-off.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave).

– Kur më erdhi lajmi për ftesën, u ndjeva jashtë mase i kënaqur, pasi sigurisht është ëndrra e çdo futbollisti të luajë për Kombëtaren e vendit të tij. Debutimi im ka ardhur me fanellën e ekipit Kombëtar U-15, ka qenë në një ndeshje me Estoninë, kundër së cilës shënova dhe një gol. Ishte një debutim i paharrueshëm.

– Si e shikoni të ardhmen e ekipeve Kombëtare duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që kemi aktualisht?

– Mendoj se ekipi Kombëtar U-17 është favorit për kualifikimin në Kampionatin Europian. Fakti që kemi në dispozicion një grup të mirë lojtarësh, mendoj se është në favorin tonë. Ka shumë elementë të rinj që i bëjnë shumë mirë konkurrencës dhe rrisin cilësinë e ekipit.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– Mund të veçoj si episodin më të bukur me klubin një ndeshje finale kur kam qenë 11 vjeç, pasi shënova 3 gola. Kjo ndeshje më dha edhe titullin lojtari më i mirë në Shkodër për moshën 11-vjeçare. Ndërsa për sa i përket Kombëtares ka qenë padyshim momenti i një goli të bërë nga goditja e dënimit në minutën e fundit të ndeshjes ndaj Estonisë, gol që i dha fitoren ekipit tim.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Futbolli sigurisht kërkon shumë sakrifica. Një ndër to është lënia pas dore e shkollës dhe mësimeve. Patjetër që tashmë kam në plan të parë futbollin, më pas vijnë gjërat e tjera.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Si çdo futbollist tjetër, edhe për mua ëndrra në sirtar është të luaj një ditë me Kombëtaren e madhe dhe pse jo në një klub të njohur në një nga ligat më të mira të Europës.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli im në Kombëtaren ideale është legjenda shkodrane e Vllaznisë, Sabah Bizi, ndërsa modeli që më frymëzon më shumë se kushdo është ylli i Juventusit, Paulo Dybala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat