Stadiumi i ri i Milanos, bashkia pret garanci

Futboll

Stadiumi i ri i Milanos, bashkia pret garanci

Më: 27 prill 2021 Në ora: 19:48
Stadiumi i ri i Milanos, bashkia pret garanci

Pas muajsh të tërë larg skuadrës, presidenti i Interit, Stiven Zhang pritet të mbërrijë në Milano këtë javë, ku e presin shumë punë për të bërë dhe natyrisht shumë pikëpyetje për t’u zgjidhur sa i përket vazhdimësisë.

Grupi kinez Suning provoi të shesë aksionet e klubit zikaltër, por negociatat nuk shkuan si duhet dhe tani duket se ka ndryshuar plan, duke kërkuar një hua për të shlyer detyrimet dhe për të mbajtur pronësinë e Interit.

Megjithatë në Milani presin me padurim ardhjen e presidentit, pasi përveç shampanjës së titullit që pritet të hapet brenda pak ditësh, duhen zgjidhur çështjet e pagave të prapambetura dhe ato që lidhen me projektin për të ardhmen.

Një tjetër çështje e rëndësishme me të cilën duhet të merret presidenti zikaltër, është edhe ajo e stadiumit të ri, një projekt i iniciuar nga klubet e Interit dhe Milanit, por që momentalisht ka mbetur pezull në zyrat e bashkisë së qytetit të Milanos.

Vetë kryebashkiaku Giusepe Sala deklaroi se pret të takohet me presidentin zikaltër gjatë javëve të ardhshme dhe nëse merr garancitë e duhura prej tij, është gati t’i hapë udhë projektit të ndërtimit të stadiumit të ri në qytet.

“Nëse Zhang më jep garanci që do të jetë në krye të Interit për tre vitet e ardhshme, atëherë do t’i hapet udhë menjëherë projektit për ndërtimin e stadiumit të ri, pasi janë sistemuar shumë detaje në lidhje me projektin”, deklaroi kreu i bashkisë së Milanos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat