Lufta për titull dhe mbijetesë në Kampionatin Shqiptar

Futboll

Lufta për titull dhe mbijetesë në Kampionatin Shqiptar

Më: 28 prill 2021 Në ora: 11:20
Lufta për titull dhe mbijetesë në Kampionatin Shqiptar

E mërkura e futbollit shqiptar vjen më e nxehtë se kurrë. Sot luhen ndeshjet e javës së 30-të të Kategorisë Superiore, sfida që pritet ta bëjnë më interesante garën për titull ose mbijetesë. Në orën 16:00 vëmendja më e madhe do të jetë te derbi i Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë që do të luhet në Selman Stërmasi.

Një sfidë për të mos u humbur në ekranin e Supersport pasi bardheblutë luajnë shansin e tyre të fundit në garën për të mbrojtur trofeun e kampiones ndërkohë që Vllaznia duke patur parasysh që Partizani ka ndeshje shumë të vështirë në Laç, mund të kryesojë e vetme pas raundit të 30-të. Po në orën 16:00 pikërisht në Kurbin premton emocione dhe shkëndija dueli mes Laçit vendas dhe të kuqëve të Dajës të cilët do të shkojnë për fitore në këtë sfidë por të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë edhe Laçi që ka ende shanse për të shkruar historinë në këtë sezon.

Në Elbasan Arena ndërkohë Kukësi pret një pretendent tjetër për titullin pikërisht Teutën e Edi Martinit që vjen në këtë sfidë pas humbjes ndaj Tiranës. Durrsakët nuk do ta kenë të thjeshtë aq më tepër që Kukësi do të synojë të marrë ndonjë pikë për të siguruar sa më shpejt qëndrimin direkt në Superiore.

Në orën 13:00, vëmendja padiskutim do të jetë në Korçë aty ku luhet dueli i drejtpërdrejtë për mbijetesën mes Skënderbeut dhe Bylisit me korçarët që duhet të fitojnë me çdo kusht për ta ngushtuar në 3 pikë diferencën me ballshiotët dhe për të shpresuar deri në fund të qëndrimi.

Kastrioti nga ana tjetër do të kërkojë të kthehet te fitorja pas një thatësire të gjatë, pikërisht në sfidën e Loni Papuçiut ndaj Apolonisë në Fier, me fierakët që tashmë janë dorëzuar dhe vetëm matematika i mban ende në lojë për të qenë pjesë e më të mirave edhe sezonin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat