Tirana fiton derbin e Shqipërisë

Futboll

Tirana fiton derbin e Shqipërisë

Më: 28 prill 2021 Në ora: 18:35
Tirana fiton derbin e Shqipërisë

Tirana nuk ndalet më. Fiton derbin e Shqipërisë dhe shkon në -6 nga kreu, duke rikuperuar të tjera pikë, si për zonën europiane, gjithashtu dhe për mbrojtjen e trofeut. Bardheblutë triumfuan me vetëm një goditje në portë ndaj Vllaznisë, falë një goli të Idi Bathës, në një përballje që ishte deri diku e mërzitshme për numrin e rasteve të krijuara, sidomos në pjesën e parë, por që Vllaznia nuk meritonte kurrsesi ta humbiste.

Tirana jep sinjalin e parë me Bathën, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit. Moment për moviolë (8’). Vllaznia kërkon penallti për prekje të topit me dorë nga futbollistët e Tiranës brenda zonës, por gjyqtari akordon faull në sulm për prekje të topit me dorë nga ana e shkodranëve. Nuk janë dakord me vendimin e gjyqtarit futbollistët e skuadrës mike, shkruan supersport.

Momente paniku (26’), Vangjeli dhe Da Silva përplasen kokë më kokë gjatë një dueli brenda zonës, është dashur ndërhyrja e menjëhershme e stafeve mjekësore. Për fat të mirë asgjë serioze për të dy.

E pabesueshme çfarë shpërdoron Vllaznia me Dilaver (52’). Pas tentativës Da Silvës, topi fillimisht u ndal nga portieri Bekaj, teksa shkoi te sulmuesi Dilaver, i cili ka bërë më të vështirën, duke e dërguar sferën jashtë kuadratit.

Provon edhe Jonuzi (54’) me një gjuajtje nga distanca, topi shkon ngjitur me shtyllë e djathtë pingule. Në të 65-tën shënon Seferi, por anulohet për pozicion jashtë loje, përsëritja tregon nëse ishte apo jo.

Në të 74-tën Idi Batha shënon për Tiranën nga goditja e dënimit, topi kalon gjithë pasqyrën e portës dhe shkon në rrjetë. Në të 80-tën nderpritet për shkak të mungesës së ambulancës. Vllaznia pati qarkullim, por jo rrezikshmëri deri në fund, duke mos arritur të shmangë dot humbjen e 7-të në këtë kampionat e duke zbritur në -2 nga kreu, ndërsa për Tiranën ndizet një dritë jeshile në garën për titull në një sezon që përpara uljes së Shehit në stol konsiderohej i dështuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat