Shqipëria U-15 fiton miqësoren

Futboll

Shqipëria U-15 fiton miqësoren

Më: 29 prill 2021 Në ora: 19:02
Shqipëria U-15 fiton miqësoren

Kombëtarja shqiptare e 15-vjeçarëve ka zhvilluar këtë të enjte një ndeshje miqësore kundër ekipit Pepa U-16. Ndeshja e luajtur në ambientet e kompleksit “Pepa” në Elbasan përfundoi në favor të kuqezinjve, me rezultatin 1-0, goli i shënuar nga mesfushori Grazhdani. Shqipëria U-15, e drejtuar nga trajneri Armand Dama e zhvilloi këtë ndeshje për të testuar gjendjen e skuadrës dhe të futbollistëve të vegjël.

Ekipi zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Hila , Paci , Pepnikaj , Nela , Xhafkollari , Laze , Grazhdani , Lushaj , Malaj , Nderjaku dhe Qosja. Në pjesën e dytë trajneri aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicon, : Zadeja , Rrenga , Gurra , Balliu , Elmazi , Muca , Laze , Bleta , Bozhiqi , Malaj dhe Xhafkollari, përveç portiertit Murati.

Trajneri Armand Dama, në një prononcim për fshf.org pas ndeshjes, u shpreh i kënaqur me lojën e djemve të tij, teksa theksoi se në grupin e 15 vjeçarëve ka spikatur element që mund t’i shërbejnë në të ardhmen Kombëtares. 

“Jam i kënaqur nga ndeshja që djemtë zhvilluan. I zbatuan rregullat dhe kanë mbajtur mend këshillat që u kam dhënë, duke i vënë ato në përdorim.

Një ndeshje e mirë, ku pata mundësinë të testoj të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë miqësore dhe dua të theksoj se ka elementë mjaft të mirë që besoj se do të mund t’i shërbejnë Kombëtares A në të ardhmen.

Ka ende punë për t’u bërë normalisht dhe ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Shpresoj që sa më shpejt të kemi një grumbullim më të plotë edhe me djemtë që luajnë jashtë vendit, pasi për shkak të pandemisë, ende nuk kemi një panoramë të plotë të gjithë ekipit U-15”– u shpreh Dama për fshf.org.

Kombëtarja U-15 do të zhvillojë edhe ndeshje të tjera  gjatë këtij viti, për t’i dhënë mundësinë trajnerit të shohë elementët vendas dhe ato që luajnë jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat