Momenti delikat i Juventusit

Futboll

Momenti delikat i Juventusit

Më: 29 prill 2021 Në ora: 22:07
Momenti delikat i Juventusit

John Elkan shkon shpesh në qendrën stërvitore të Juventusit gjatë sezonit, por vizita e kryer pasditen e sotme ka bërë bujë të madhe në mediat italiane, pasi vjen në një moment mjaft të trazuar për klubin bardhezi.

Një nga trashëgimtarët e dinastisë Agnelli në Itali, ka pasur një takim fillimisht me presidentin e Juves, Andrea Agnelli, ndërsa më pas në tryezë janë bashkuar edhe drejtuesit e klubit, Pavel Nedved, Fabio Paratici dhe Federico Cherubini.

Mësohet se tema e diskutimit ka qenë pikërisht momenti i vështirë që po kalon klubi bardhezi, që rrezikon të mbetet jashtë zonës Champions, apo më keq akoma të lihet jashtë nga UEFA, duke qenë se është pjesë e nismëtarëve të Superligës së Europës dhe nuk ka hequr dorë ende nga kompeticioni që dështoi pak ditë pas krijimit.

Imazhi i presidentit të bardhezinjve, Agnelli, është prishur jo pak gjatë javëve të fundit, sidomos pas krijimit të Superligës dhe sulmeve nga kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ndërsa në Itali raportojnë se po merret në konsideratë edhe dorëheqja e tij.

Në të njëjtën kohë edhe situata ekonomike në klub nuk është aspak e mirë, pasi shpenzimet për pagat janë rritur ndjeshëm nga viti në vit dhe pandemia, por edhe mungesa e suksesit në Champions apo kampionat, pritet të ulin ndjeshëm të ardhurat edhe këtë sezon.

Një tjetër çështje që është diskutuar mes palëve, ka qenë edhe ajo që lidhet me pankinën, pasi te Juventusi duket se kanë ndërmend të rikthejnë në pankinë Massimiliano Allegrin, trajnerin që fitoi 5 tituj kampionë radhazi me bardhezinjtë dhe i dërgoi dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat