Dr. Todhe: Koha që mjekësia sportive të ndihmohet nga të gjithë

Futboll

Dr. Todhe: Koha që mjekësia sportive të ndihmohet nga të gjithë

Më: 30 prill 2021 Në ora: 11:42
Dr. Todhe: Iniciativë e shkëlqyer. Koha që mjekësia sportive të ndihmohet nga të gjithë

Federata e Futbollit ka ngritur prej një viti Departamentin e Mjekësisë Sportive, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e mëtejshme të kësaj shtylle të futbollit, që në Shqipëri ka shumë deficite, duke parë edhe mungesën e programeve arsimore në këtë profil jetik për zhvillimin e sportit.

Për këtë arsye ky Departament, po organizon për herë të parë në Shqipëri programin “UEFA Football Doctor Education”, një program që mbulon aspektet themelore të mjekësisë sportive në botën e sportit dhe futbollit në veҫanti, duke ndjekur udhëzimet dhe metodat më të mira të përgatitura nga UEFA dhe partnerët e saj mjekësor.

Ky kurs që është mjaft i dobishëm për doktorët sportivë dhe për fizioterapistët, ka pasur lektorë shqiptarë dhe të huaj, emra të mëdhenj të profileve të tyre në vëndet nga vijnë.

Një ndër ta është Dr. Dritan Todhe, Kirurg Ortoped, i cili ka ndarë eksperiencën e tij në auditor me kursantët dhe gjithashtu ka folur për fshf.org në një intervistë, për të ndarë vlerësimet e organizimit të këtij programi nga FSHF si dhe për të dhënë një mesazh për profesionistët e rinj.

“Një inisiativë e tillë është për tu admiruar, për tu përkrahur dhe për tu mbështetur. Tani ka ardhur koha që mjekësia sportive të hidhet në themele shkencore ashtu siҫ duhet të jetë, në mbështetje të plotë të investimeve serioze që po bëjnë klubet edhe në Shqipëri sëfundmi. Jemi në një moment që mjekësia sportive duhet të ndihmohet, jo vetëm nga Federata Shqiptare e Futbollit, jo vetëm nga UEFA, por edhe nga vetë mjekësia shqiptare. 

Deficitet në mjekësinë sportive? Mungesa e investimeve në këtë drejtim janë vënë re vitet e fundit duke mos mbështetur talentet e reja në raste traumash, rikuperimin e tyre të plotë, për t’ia vendosur klubeve në shërbim këta lojtarë të talentuar. Mbështetja që Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar të japë tashmë për mjekësinë sportive është një inisiativë e shkëlqyer dhe që besoj se do të shkoj përtej, nëpërmjet organizimeve të tjera edhe më të guximshme europiane në Shqipëri.

Mjekësia sportive nuk është më tabu, po konkretizohen inisiativa të tilla, gjithmonë në shërbim të shkencës, teknikës dhe sportit”.

Një mesazh për mjekët dhe fizioterapistët e rinj sportivë vjen nga Doktor Todhe. “Këta të rinj të mos ta shikojnë më sportin vetëm për tu argëtuar, por edhe si një mundësi për të marrë pjesë në të.

Profesionistët e mjekësisë mund të japin kontributin e tyre edhe në drejtimin e traumatologjisë sportive, edhe në kuptimin e fizioterapisë ashtu si edhe mjekëve të thjeshtë sportivë. Koordinimi dhe angazhimi i tyre do të bënte në fund, rritjen e njerzve në dispozicion dhe rritjen në fund të fundit të kualitetit të mjekësisë sportive në vendin tonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat