Shqipëria U-16 merr pjesë në turneun ndërkombëtar në Kroaci

Futboll

Shqipëria U-16 merr pjesë në turneun ndërkombëtar në Kroaci

Më: 30 prill 2021 Në ora: 17:17
Shqipëria U-16 merr pjesë në turneun ndërkombëtar në Kroaci

Kombëtarja shqiptare U-16 do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Vlatko Markoviç”, që do të zhvillohet në Kroaci nga datat 4-9 maj 2021.

Ky turne, që është në edicionin e tij të tretë, organizohet në nderim të kujtimit të ish-Presidentit të Federatës së Kroacisë, Vlatko Markovic, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2013.

Trajneri i kuqezinjve, Agron Kërçova, ka publikuar sot listën me 21 lojtarë kryesisht të vitlindjes 2006, me pjesën më të madhe që aktivizohen me skuadra të kampionatit shqiptar. Por në listë ka edhe elementë, të cilët militojnë në klube të huaja si dy mesfushorët Ariel Isufi (Pescara – Itali) dhe Elidon O’boyle (Chelsea – Angli) si edhe sulmuesit Denis Ferraj (Atlètic Sant Just – Spanjë) dhe Alekxi Qoshku (Udinese – Itali).

Kombëtarja U-16 do të grumbullohet ditën e shtunë, datë 1 maj 2021 në kompleksin “Tropikal” në Durrës dhe më 3 maj përfaqësuesja do të udhëtojë drejt Zagrebit, aty ku edhe do zhvillohen ndeshjet e këtij turneu.

Në këtë turne marrin pjesë tetë vende dhe formati është me dy grupe me nga 4 skuadra. Kuqezinjtë do të luajnë 3 ndeshje në grup dhe pas renditjes përkatëse do përcaktohet nëse do të kualifikohen për në finale apo për vendin e 3-të, 5-të, ose të 7-të në bazë të rezultateve që do të marrin në ndeshjet e grupit.

Shqipëria është Grupin B bashkë me Rusinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Lituaninë. Ndërsa, në Grupin A janë Kroacia, Bulgaria, Bjellorusia dhe Maqedonia e Veriut.

Ndeshje e grupeve do të zhvillohen më datat 5, 6 dhe 7 maj. Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e tyre të parë ndaj Lituanisë më 5 maj 2021 (ora 12:15), ndërsa një ditë më pas, më 6 maj, do të sfidojnë Rusinë me duelin që nis në ora 15:45. Takimi i tretë dhe i fundit për Shqipërinë në grup do të luhet më datë 7 maj ndaj Bosnje & Hercegovinës në ora 10:30.

Finalja e turneut luhet më datën 9 maj, teksa në këtë datë do të zhvillohen edhe ndeshjet për vendin e 3-të, 5-të dhe të 7-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat