Sulmuesi i Prishtinës, Oto John, është në formën më të mirë të mundshme dhe kjo u pa edhe sot, duke shënuar dy gola për skuadrën e tij, e cila ka shënuar fitore në udhëtim me 3:0 ndaj Besës nga Peja, në ndeshjen që u luajt në fushën “Tahir Vokshi” në Brestovik.
Prishtina importoi tre pikë të mëdha, duke e përforcuar kreun e tabelës.
Futbollisti John tha se shpreson se do të vazhdoj të shënoj edhe në takimet e radhës.
“Shpresoj të vazhdoj të shënoj edhe në tre ndeshjet e fundit të mbetura, sepse kam munguar në shumë ndeshje dhe po ndjehem shumë i etur të shënoj sa më shumë.
Do të provoj të jap më të mirën dhe t’i ndihmoj skuadrës sa më shumë që është e mundur në këto ndeshje të mbetura.
Patjetër që është ndjenjë e mirë të gjendemi në krye të tabelës, shokët e skuadrës kanë pasur sezon brilant dhe besoj se do të mbajmë së bashku këtë formë të lartë i gjithë ekipi për të arritur qëllimin që kemi para vetes”, tha John për faqen e FC Prishtina.
Prishtina kryeson renditjen me 72 pikë apo tre më shumë se kampioni në fuqi Drita pas 33 jave në elitën e futbollit të Kosovës.