Bierhoff del hapur

Futboll

Bierhoff del hapur

Më: 6 maj 2021 Në ora: 13:36
Bierhoff del hapur

“Hansi Flick do të ishte trajner i shkëlqyeshëm për kombëtaren gjermane”.

Këtë gjë e thotë drejtori i ekipit kombëtar të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Oliver Bierhoff, i cili e ka përshkruar trajnerin në largim nga Bayern Munich si dikë që “i bashkon njerëzit”. Flick do të tërhiqet nga roli i tij në karrigen e nxehtë të bavarezëve në fund të sezonit 2020-21, pasi ka arritur një marrëveshje me klubin për ta shkurtuar kontratën e tij me dy vite.

Me Julian Nagelsmann të RB Leipzig tashmë të konfirmuar si trajnerin e ardhshëm të Bayernit, rruga është pastruar për Flick që të pasojë Joachim Low në stolin e Gjermanisë, një perspektivë e cila është mirëpritur nga Bierhoff. Ky i fundit, që fitoi 70 ndeshje me Gjermaninë midis viteve 1996 dhe 2002, i tha BILD:

“Tani rruga është e lirë të flasim me të. Nuk duhet të jeni një ekspert i shkëlqyeshëm për të thënë që Hansi do të ishte trajner i shkëlqyeshëm për kombëtaren tonë. Së pari jam i lumtur që ky opsion është lançuar. Hansi Flick e njeh federatën dhe kombëtaren. Ai është dikushi që krijon një atmosferë entuziaste dhe i mbledh njerëzit së bashku”.

DFB konfirmoi synimin e saj për të hapur bisedimet me Flick në fund të prillit, me Low të vendosur të largohej nga posti i tij pas Kampionatit Europian të kësaj vere. Organi kryesor drejtues i futbollit në Gjermani tha në një deklaratë: “Dihet mirë që Hansi Flick vlerësohet shumë nga DFB. Ne mund të konfirmojmë se, në këtë sfond, tani do të zhvillojmë bisedime me të dhe ata që janë përgjegjës te FC Bayern”.

Flick tashmë ka një histori të fortë me ekipin kombëtar gjerman, pasi ka shërbyer si ndihmës i Low për tetë vite, para se të bashkohej me bordin e DFB si drejtor sportiv, pas triumfit në Kupën e Botës 2014, në Brazil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat