Nikaç flet për aventurën te Gjilani, pasi u largua nga klubi

Futboll

Nikaç flet për aventurën te Gjilani, pasi u largua nga klubi

Më: 6 maj 2021 Në ora: 13:39
Nikaç flet për aventurën te Gjilani, pasi u largua nga klubi

Realizoi golin e parë për Gjilanin në Evropë dhe sigurisht që historia do të flas për të, por aktualisht Darko Nikaç mbyll aventurën e tij me “Skifterët” pas 18 muajsh bashkëpunimi.

Autori i tetë golave në këtë edicion është përshëndetur me skuadrën pas përfundimit të ndeshjes derbi ndaj Dritës (1-1), të cilën e ndoqi nga tribunat për shkak të lëndimit, i cili ja pamundësoi të jetë në fushën e lojës për pjesën e fundit të kampionatit.

Në një prononcim pas largimit nga ‘kuqebardhët’, sulmuesi nga Podgorica ka folur në lidhje me aventurën e tij të kaluar në Kosovë te Gjilani, momentet më të mira dhe të ardhmen e tij, e cila mund të jetë në interes për shumë klube në vend dhe rajon.

“Së pari dua të them që ishte kënaqësi që isha pjesë e klubit të Gjilanit për një vit e gjysmë. Kam kaluar momente fantastike të cilat do t’i mbaj mend gjithmonë në karrierën time. Jam i kënaqur me atë se çfarë kam treguar dhe kam dhënë për klubin. Nuk u kurseva asnjëherë dhe shpresoj që të kem kontribuar në sukseset që ka patur klubi në këtë periudhë sa isha pjesë e tyre”, deklaroi fillimisht Nikaç për Gazetasheshi.

Gjilani këtë edicion doli për herë të parë në garat evropiane, derisa 30 vjeçari shënoi golin e parë në duel me Tre Pennen në kuadër të fazës parakualifikuese të Ligës së Evropës, i cili njëherit do të mbetet në histori.

Sulmuesi shtatëlartë kujton golin e realizuar me kokë, si dhe dy golat e shënuar në derbi ndaj skuadrës së Dritës këtë edicion.

“Kam shënuar golin e parë për klubin e Gjilanit në garat ndërkombëtare dhe kjo do të mbetet në histori, gjë për të cilën ndjehem shumë i lumtur. Kam realizuar gjithashtu dy gola në derbi ndaj Dritës këtë sezonë, por për fat nuk arritëm ta fitonim atë ndeshje. Unë kam vetëm momente të mira me Gjilanin dhe për këtë dua që t’i falenderoj të gjithë, nga drejtuesit e klubit, trajnerët me të cilët kam punuar dhe tifozët normalisht për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë dhënë”, potencoi Nikaç.

Darko ishte pjesë e skuadrës së Teutës nga Durrësi përpara se të zbarkonte në Gjilan në afatin kalimtar të dimrit në janarin e vitit të shkuar, ndërkohë që falë paraqitjes së tij në Kosovë, ai ka marrë disa oferta, megjithëse nuk ka preferuar të zbuloj më shumë detaje në lidhje me to.

“Mund të ua konfirmoj që jam kontaktuar menjëherë nga disa klube, por tani dua që të shkoj në shtëpi, të vazhdoj me fazën e rehabilitimit për t’u kthyer nga lëndimi dhe më pas të shoh për të ardhmen. Nuk dua që të ngutem”, theksoi ai.

Në fund Nikaç pati vetëm fjalë pozitive për gjilanasit, të cilëve u dëshiroi shumë suksese në edicionin e radhës.

“Gjilanit i dëshiroj gjithë të mirat në sezonë që vjen”, mbylli sulmuesi nga Mali i Zi.

Gjatë karrierës së tij, Nikaç ishte pjesë e disa skuadrave nga vendlindja si Buducnost Podgorica, FK Mladost, OFK Grbalj dhe FK Iskra Danilovgrad.

Ai karrierë gjithashtu ka bërë edhe në kampionatin Indian te skuadra Pune FC dhe në kampionatin hungarez te MTK Budapest. Për një kohë ai qëndroi edhe në Uzbekistan te skuadra Navbahor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat