Shqipëria U-16 e pafat, pëson humbje

Futboll

Shqipëria U-16 e pafat, pëson humbje

Më: 6 maj 2021 Në ora: 19:58
Shqipëria U-16 e pafat, pëson humbje

Kombëtarja shqiptare U-16 ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e dytë ndaj Rusisë në kuadër të turneut ndërkombëtar “Vlatko Markoviç”.

Në sfidën e zhvilluar në Zagreb, djemtë e drejtuar nga Agron Kërçova bënë një ndeshje mjaft të mirë, por nuk arritën dot të fitonin, duke u mundur me rezultatin minimal 0-1.

Formacioni titullar i Shqipërisë U-16 në këtë takim ishte ky: Dervishi, Koleci, Çela, Damini, Belloj, Jaku, Kashar, Duro, Kurti, Hajdari, Bode.

Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë mjaft të mirë, me raste të krijuara, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës. Pjesa e parë u mbyll kështu me shifrat 0-0.

Në fraksionin e dytë të lojës, djemtë e Kërçovës kërkuan disa herë golin, por ishin të pafat.

Tekniku kuqezi freskon skuadrën, duke hedhur në fushë fillimisht Metaj (Bode) në minutën e 48-të ndërsa në të 58-n minutë hedh në fushë Lazen (Jaku).

Në minutën e 67-të të takimit, rusët kalojnë në avantazh, duke ndëshkuar kështu kuqezinjtë, pas një loje shumë të mirë.

Kërçova bën edhe dy zëvendësime të tjera në minutën e 70-të, duke futur në lojë Isufin (Hajdari) dhe O’Boyle (Duro).

Pavarësisht rasteve të krijuara, kuqezinjtë nuk arritën dot ta ndryshonin rezultatin e lojës, duke u mbyllur kështu me rezultatin 0-1.

Shqipëria U-16 është shortuar në Grupin B bashkë me Rusinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Lituaninë.

16 vjeçarët do të zhvillojnë ditën e nesërme (7 maj) takimin e radhës ndaj Bosnjë & Hercegovinës në ora 10:30.

Shqipëri – Rusi 0:1

Shqipëria U-16: Dervishi, Koleci, Çela, Damini, Belloj, Jaku (Laze 58’), Kashar, Duro (O’Boyle 70’),  Kurti, Hajdari (Isufi 70’) , Bode (Metaj 48’).

Trajner: Agron Kërçova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat