Daja: Japim gjithçka ndaj Skënderbeut

Futboll

Daja: Japim gjithçka ndaj Skënderbeut

Më: 7 maj 2021 Në ora: 11:10
Daja: Japim gjithçka ndaj Skënderbeut

Partizani kapi kreun e Superiores në javën e 31-të të saj. Tashmë, misioni bëhet më i vështirë, për ta mbrojtur atë pozicion. Kjo gjë kalon së pari nga transferta korçare, nesër, pastaj nga derbi i kryeqytetit me Tiranën dhe si vjon: transferta durrsake, përplasja direkte me Vllazninë dhe udhëtimi përmbyllës sezonal në Ballsh. Një kalendar mjaft i vështirë. Sidoqoftë, Ilir Daja mendon ndeshje pas ndeshjeje, duke premtuar se nuk do të kursehet ndaj Skënderbeut në funksion të derbit pasues me bardheblutë. Trajneri i të kuqve nënvizoi në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me kuqebardhët e Migen Memellit:

“Besoj se nuk ka më ndeshje të lehta, sepse kampionatit po i vjen fundi dhe të gjitha ekipet kanë objektivat e tyre. Të gjithë çiftet që përplasen janë ndeshje të forta, sepse mendoj që është starti i fundit, kanë mbetur edhe pesë javë. Kemi dy ndeshje të fituara dhe një të humbur me Skënderbeun.

Korçarët Ata po kalojnë një moment shumë të mirë, kanë marrë pikë në çdo lloj përballjeje. Besoj se ne kemi formën më të mirë nga të gjitha ekipet, e kemi treguar fuqishëm në javët e fundit, jo vetëm me rezultate dhe me lojëra, por edhe me golat e shënuar.

Do jetë një ndeshje e luftuar, por do të shkojmë në Korçë për marrjen e 3-pikëshit. Unë nuk e kam për herë të parë në krye të renditjes, janë edhe disa lojtarë që kanë dalë kampionë me Partizanin, kanë eksperiencë për t’i menaxhuar këto situata. Na vjen mirë që jemi në krye, e kemi merituar të jemi aty. Duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi te Skënderbeu, nuk do na bënte mirë të shpërndaheshim te ndeshjet e tjera.

Mala dhe Bardhi, dy mungesa të rëndësishme, për vetë vlerat që kanë dy lojtarët. Besojmë se do t’i minimizojmë mungesat e këtyre lojtarëve me të tjerët në dispozicion. Problem është fakti që do të kemi pak alternativa në stol, për të bërë ndërrime në pozicione natyrale, jo në vlera.

Derbi? Unë e di që nuk kam ndeshje pas Skënderbeut… Që do të thotë se as nuk do të kursejmë dhe as nuk do të mendojmë për asgjë tjetër, do të fokusohemi me të gjitha energjitë psiko-fizike te Skënderbeu. Rezultati është kryesori në këtë fund kampionati. Të marrësh tri pikë në Korçë do të thotë se duhet ta vlerësojmë të gjithë kundërshtarin. Skënderbeu ka lojtarë që mund të të godasin, sidomos në sulmin e shpejtë.

Presioni nuk është vetëm te ne, edhe ata kanë presion për arsyen e gjendjes në tabelën e klasifikimit, edhe atyre u duhen patjetër pikët. Shpërndarja e presionit është e barabartë, por ne kemi potencialin më të madh për ta përballuar atë. Mund të kemi një qetësi më të madhe, sepse kemi një objektiv më të madh”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat