Luhen dy derbi në Tiranë dhe Shkodër

Futboll

Luhen dy derbi në Tiranë dhe Shkodër

Më: 7 maj 2021 Në ora: 12:29
Luhen dy derbi në Tiranë dhe Shkodër

Kampionati i femrave po i afrohet fundit edhe për këtë sezon futbollistik, me javën e 20-të që luhet e ndarë në tre ditë.

Sfida hapëse e kësaj jave do të luhet në Lushnje, me myzeqaret që do të presin në këtë sfidë korçaret e Skënderbeut. Të dyja ekipet vijnë pas disfatave në javën e kaluar, ku Lushnja u mund thellë nga ekipi i Tiranës, ndërsa Skënderbeu humbi në Korçë sfidën përballë Juban Danjës. Sfida do të luhet ditën e sotme (7 maj) duke nisur nga ora 12:00.

Ditën e shtunë do të luhen katër sfida të tjera, me dy derbi, respektivisht në Shkodër dhe në Tiranë. Vllaznia, pas fitores javën e shkuar ndaj Partizanit, dhe barazimit të Apolonisë ndaj Tirana AS, siguroi matematikisht titullin e tetë kampion. Këtë javë do të përballet me AAS e vendit të tetë, në sfidën që nis nga ora 10:00.

Në Tiranë, do të luhet derbi kryeqytetas mes Tirana AS dhe Kinostudios, në një sfidë mjaft emocionuese. Tirana AS renditet e pesta në kampionat ndërsa Kinostudio me tetë pikë më poshtë renditet në vendin e gjashtë. Ndeshja do të luhet duke nisur nga ora 14:00.

Durrsaket e Teutës do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku përballë do të kenë ekipin e Partizanit. Të kuqet vijnë në këtë ndeshje pas disfatës në Shkodër, ndërsa Teuta fitoi javën e shkuar me Bilisht Sportin. Kjo sfidë e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit do të luhet në ora 11:00.

Bilisht Sporti i vendit të fundit do të presë këtë javë në shtëpi Tiranën, në një sfidë të lehtë në letër për kryeqytetaset, ku rëndësi kanë vetëm tre pikët. Tirana, ekipi i formuar këtë sezon ka qenë surprizë e këtij kampionati, me vajzat që kanë bërë një sezon mjaft të mirë dhe renditen në vendin e tretë, në ndjekje të Apolonisë së vendit të dytë, të cilat kanë 4 pikë më shumë se Tirana. Ndeshja do të luhet të shtunën në ora 15:00.

Sfida që mbyll edhe këtë javë të kampionatit do të luhet në Shkodër, me fieraket e Apolonisë që do të udhëtojnë drejt qytetit verior, aty ku do të përballen me Juban Danjën e vendit të katërt. Ndeshja do të nisë në ora 15:00.

E shtunë

AAS – Vllaznia , ora 10:00

Tirana AS – Kinostudio , ora 14:00

Partizani – Teuta , ora 11:00

Bilisht Sport – Teuta , ora 15:00

E diel

Juban Danja – Apolonia , ora 15:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat