Duka inspekton punimet në stadiumin e Kukësit

Futboll

Duka inspekton punimet në stadiumin e Kukësit

Më: 7 maj 2021 Në ora: 15:31
Duka inspekton punimet në stadiumin e Kukësit

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, zhvilloi ditën e sotme një vizitë në Kukës ku inspektoi punimet në stadiumin e ri të këtij qyteti, i cili është një investim 50% i FSHF-së dhe 50% nga Qeveria shqiptare. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ishte i shoqëruar në këtë vizitë nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dhe nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj.

Presidenti Duka pa nga afër ecurinë e punimeve, ndërkohë që duhet theksuar se stadiumi ka marrë formë dhe brenda pak muajsh pritet të jetë gati. Stadiumi i ri i Kukësit do të plotësojë të gjitha kriteret që duhen për të pritur edhe ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare. Në prononcimin e tij gjatë inspektimit, Presidenti Duka foli për problematikat që janë shkaktuar nga pandemia Covid-19, por u shpreh shumë optimist për përfundimin në një kohë të shpejtë të këtij impianti të ri modern.

“Stadiumi nuk është në ritmet që kemi pritur por asgjë nuk është në ritmet që kishim menduar të gjithë para pandemisë. Kemi kaluar një kohë të pazakontë, që ka qenë pandemia dhe krahasimisht me periudhën dhe me kohën jam i surprizuar me nivelin e punimeve sepse mendova se pandemia do ta kishte penguar më shumë.

Nuk ka penguar vetëm kompaninë, ka penguar çdo gjë, në jetët tpna, jo vetëm shqiptare por në të gjithë globin. Na ka penguar edhe neve, në pikëpamjen financiare kemi pasur vështirësi për ta financuar kompaninë dhe për të vazhduar me ritme akoma më të shpejta. Kemi pasur objektiv për ta mbaruar më shpejt, por gjithsesi tashmë kemi një objektiv të ri, duke u përshtatur me situatën e re që në shtator ta inagurojmë stadiumin dhe të zhvillojmë ndeshje me ekipin e Kukësit në këtë stadium”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat