​Vdes Zekirja Shahini, përfaqësues i FFK-së në Zvicër

Futboll

​Vdes Zekirja Shahini, përfaqësues i FFK-së në Zvicër

Më: 7 maj 2021 Në ora: 21:53
Zekirja Shahini

Ka vdekur përfaqësuesi i FFK-së në Zvicër, Zekirja Shahini. Këtë lajm e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, i cili ka thënë se ai ishte një personalitet i shkëlqyeshëm, njeri me kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën në çdo sferë, por veçmas në futboll dhe në ndërtimin e Kombëtares së Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë i FFK-së:

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim dhe përfaqësuesit të FFK-së në Zvicër, Zekirja Shahini.

Ai ishte një personalitet i shkëlqyeshëm, njeri me kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën në çdo sferë, por veçmas në futboll dhe në ndërtimin e Kombëtares së Kosovës.

Zeki që nga ditët e para ishte afër FFK-së dhe e ndihmoi me tërë kapacitetet e tij ndërtimin e një ekipi sa më cilësor të Kombëtares së Kosovës pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Ishte kudo ku ishte e nevojshme për të diskutuar me futbollistët dhe prindërit e tyre, veçmas me ata që jetojnë e veprojnë në Zvicër, në mënyrë që të binden për projektin e FFK-së dhe për prezantimin sa më të denjë të Kosovës.

Sot Familja Shahini e ka humbur njeriun më të dashur, shoqëria një mik të jashtëzakonshëm, derisa futbolli i Kosovës një dashamir dhe veprimtar të madh.

Zeki e donte shumë futbollin, por mbi të gjitha Kombëtaren e Kosovës. Ishte i lidhur ngushtë me fanellën dardane dhe ishte përkrah nesh kudo ku luanin Dardanët. Thjesht, ishte njeri fantastik - humanist dhe atdhetar i madh.

Ai na la sot, por vepra dhe kontributi i tij do të kujtohen gjithmonë. Ishte nder për të gjithë ne që e kishim një mik dhe bashkëpunëtor si Zeki, i cili shpeshherë e la anash edhe familjen dhe biznesin e tij vetëm e vetëm që t’i shërbejë FFK-së dhe Kombëtares së Kosovës.

Në emrin tim dhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovë dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe të gjithë miqve të tij për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme.

Shpirti i tij u prehtë në paqe!

A.A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat