Zymer Berisha - gjyqtar në Gjeneratën e Republikës: Me kërkuan që ta përpij pipin!  

Futboll

Zymer Berisha - gjyqtar në Gjeneratën e Republikës: Me kërkuan që ta përpij pipin!  

Nga: Kemajl Goca Më: 8 maj 2021 Në ora: 18:32
Zymer Berisha

Gjyqtarët sportivë u ballafaquan me situata të ndryshme në vitet e 90-ta (1991-1999), sidomos me kërcënime të rënda nga okupatori serb.
Zymer Berisha i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë ndër gjyqtarët më të dalluar të asaj periudhe, duke referuar krahas futbollit të madh edhe në atë të voglin. Ai si shumë sportistë të tjerë, ishin halë në sy për regjimin serb.

“Kam filluar karrierën që nga viti 1992 me futboll të vogël dhe pas një viti (1993) edhe me futbollin e madh, si treshe me Sali Metushin, unë Zymer Berisha dhe Shaip Grainca. Ndeshja e parë kampionale ishte mes Rahovecit dhe Gjakovës. 

Ndërsa ndeshjet tjera kanë qenë shumë, kemi referuar në Sadovinë të Jerlive, në komunën e Lipjanit. 

Do ta veçoja një rast, kur ishim duke shkuar në Gjakovë me Salihun edhe Shaipin, unë gjyqtar kryesor, kur na kanë ndalur në punkt milicia serbe edhe kanë dashtë më me shti me përpij pipin.

Unë e kam pasur fatin e madh, na ka shpëtuar një i panjohur duke ardhur në drejtim tonin dhe thoshte: ‘Zymerin e kam dajë’”, tregon Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Në vazhdim tha se ka shumë ndeshje që kanë pasur telashe. “Ka pas lojë kur i kanë ndërpre milicia serbe, si në Piranë të Prizrenit, në Opojë të Dragashit na kanë ndjekur por që kemi ikur të gjithë.

Kanë qenë shumë e shumë ndeshje që nuk kemi mundur mi referuar nga milicia serbe”, thotë Berisha. 

Ish gjyqtari ndihet krenar që kreu misionin e tij me nder në vitet më të rënda (1991-1999) dhe së bashku me mijëra sportistë nuk u ndalën në rezistencën kundër okupatorit serb, për të mbajtur gjallë sportin e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat