Derbi i madh në Itali, Juve apo Milan

Futboll

Derbi i madh në Itali, Juve apo Milan

Më: 9 maj 2021 Në ora: 11:13
Derbi i madh në Itali, Juve apo Milan

Me humbjen e Lazios 1-0 në transfertën ndaj Fiorentinës, grupi i skuadrave që do të luftojnë për tre vende në zonën Champions reduktohet në katër dhe kur kanë mbetur po kaq javë para finishit, Juventusi e Milani do të përballen në një sfidë direkte në “Allianz Stadium”.

Dy nga emrat më të mëdhenj të futbollit italian kanë prodhuar gjithmonë sfida spektakolare, por kjo e mbrëmjes së sotme bëhet edhe më e veçantë, pasi të dy skuadrat kanë të njëjtin objektiv të mbetur këtë sezon, një vend në zonën Champions.

Si Juventusi, ashtu edhe Milani kanë grumbulluar nga 69 pikë në 34 javët e luajtura deri tani dhe sfida e sotme do të jetë e një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi mund të vendosë jo pak për objektivin e vetëm të mbetur në zonën e sipërme të renditjes.

Një sfidë mjaft e veçantë edhe për trajnerin Andrea Pirlo, i cili në vitin e tij të parë në pankinë, nuk do të dëshironte të linte bardhezinjtë jashtë kompeticionit më të rëndësishëm për klube, teksa për sfidën e sotme do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët dhe do të mund të përzgjedhë më të mirët për të shkuar te suksesi.

Aspak e mirë situata në kampin kuqezi, pasi skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli e mbylli fazën e parë në krye të renditjes, por tashmë po përjeton një krizë rezultatesh dhe rrezikon të hedhë në kosh një sezon të nisur në mënyrë perfekte.

Edhe tekniku kuqezi do të ketë në dispozicion thuajse të gjithë titullarët dhe do të mund t’i besojë 11-shes më të mirë për sfidën ndaj Juventusit, ku synimi minimal do të jetë të mos humbin, për të shpresuar më pas në një parakalim në ndeshjet e mbetura.

Më herët, në orën 15:00 vëmendja do të jetë në Parma, ku vendasit e rënë tashmë në Serinë B, do të presin Atalantën, një tjetër skuadër që synon një biletë për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Në të njëjtën orë do të zhvillohet edhe sfida Benevento-Cagliari, një ndeshje direkte për mbijetesën, ku skuadra nga Kampanja mund t’i japë lamtumirën Serisë A në rast humbjeje, ndërsa Torino do të kërkojë t’i largohet zonës së rrezikut në transfertën ndaj Veronës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat