Xhavit Kajtazi tregon se kush ishte Bajram Neziri

Futboll

Xhavit Kajtazi tregon se kush ishte Bajram Neziri

Më: 11 maj 2021 Në ora: 17:43
Xhavit Kajtazi tregon se kush ishte Bajram Neziri

Sot, Kosovën e kaploi një lajm i kobshëm, ik në amshim njeriu që i dha shumë futbollit të Kosovës, Bajram Neziri.

"Sapo mora lajmin për vdekjen e punëtorit të jashtëzakonshëm të sportit të Kosovës, Bajram Neziri.

U mërzita shumë... Legjenda e futbollit, sikur edhe unë e gëzuam pensionin, por Bajrami, kohët e fundit pati telashe, që e detyruan të shtrohej në Spital, ku edhe ndërroi jetë...

Më 19 dhjetor të vitit 2019 zhvillova një bisedë të veçantë me këtë njeri të mirë, për të kujtuar figurën e papërsëritshme të futbollit të Kosovës...", shkruan Xhavit Kajtazi, gazetar i mirënjohur sportiv.

Biseda e fundvitit: Bajram Neziri, flet për futbollin e Kosovës dje, sot dhe nesër

Dy shekuj futboll shqip...

Bajram Neziri, tërë jetën ia kushti futbollit. Kudo që ka punuar ka lënë gjurmë të pashlyeshme, kujtime të mira, duke qenë prore shembull i një profesionisti të mirëfilltë, që del zot punës së vet; asnjëherë kokëulur, gjithnjë korrekt dhe i dashur nga pjesëtarët e sportit dhe të futbollit në veçanti; Po cila është jeta e një pensionisti që ia kushtoi plot dy shekuj sportit?

Bajrami, për çdo ditë të lume nga Lagja “Dardania”, në Prishtinë, ia mësynë sheshit të kryeqytetit. Dhe, kur e pyet se si po e ndien veten si pensionist, në radhë të parë është i lumtur se po gëzon një shëndet të mirë dhe me shokët e brezit që ende janë në jetë, kujtojnë ditët e rinisë me të gjitha të mirat dhe të ligat që ua solli jeta...

Jeta e tij prej pensionisti është e ndarë në dysh... I lumtur që e ka përfunduar shekullin e punës dhe po e gëzon pensionin, por i zhgënjyer për trajtimin që po i bëhet kësaj kategorie njerëzish... Kur e pyet nëse është i kënaqur me shumën e pensionit që merr përgjigjet prerazi:

“Jo! Nëse njeriu, punon një jetë të tërë, gjithnjë duke menduar që ky vend e kjo shoqëri të përparojë dhe të shkojë kah e mbara, e në fund nuk e përjeton apo gëzon atë, asesi nuk mund të mbetet i kënaqur. Por, edhe atë që marrë duhet trajtuar më tëpër si ndihmë e jo si pension. Megjithatë, ndaj fatin me gjithë brezin dhe me gjithë shoqërinë... Fatkeqësisht!...

Dy orë ecje në mëngjes janë përditshmëria e Bajramit...Nuk ka

mungesa... Ecja në Shesh i është bërë pjesë e jetës...

“Shëtis afro dy orë, kthehem në shtëpi për mëngjes, pushoj pak dhe sërish dal në shëtitje në sheshin e qytetit, në kafenë e drekës me vëllezër, shoqëri e miq”, përgjigjet Bajrami, histori e gjallë e zhvillimeve jo vetëm sportive përgjatë dy shekujve".

-Jeta juaj është fillim e mbarim, sport, përkatësisht futboll. Çka të dha ty futbolli dhe çka i dhe ti futbollit?

“Po, gati se mund të thuhet kështu. Kam pasë shumë angazhime në sport, fillimisht duke u munduar të filloja të luaja futboll; lëndimi, braktisja e tij dhe fillimi i punës në profesion.. Por nuk munda pa te; sërish iu ktheva sportit. Futbolli më dha njohuri e më mundësoi shoqëri me njerëz të mirë që punuan e punojnë në futboll; më dha vullnet për të punuar së bashku me të tjerët, për të ngritur institucionet e pavarura të futbollit në shtetin e ri. Futbolli në fillim nuk kishte asgjë për të më dhenë. Më vonë me konsolidimin e tij, më ka dhënë mundësi të dal në terren, të shoh organizimin e njerëzve në klube, për të ecur bashkë në krijimin e mundësive për organizim dhe zhvillimin e futbollit, si të pavarur nga një sistem i egër i kohës së ish – Jugosllavisë".

-Një rrëfim të shkurtër jetësor. Kush është Bajram Neziri?

“ Kam lindur më 4 gusht të vitit 1949 në Bërvenik të Podujevës. Që nga viti 1959 jetoi në Prishtinë, e që pas mbarimit të shkollimit të mesëm dhe atij të lartë në shkollën administrative në Mitrovicë dhe përfundimit të shërbimit ushtarak, kam filluar punën në vitin 1971 në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Nga viti 1973 kalova në Entin e Politikës sociale në Prishtinë, ku punova si administrator profesional deri në përndjekjet që na u bënë në vitet e 90-ta”.

Bajrami pati njëj karrierë të shkurtër si futbollisht,e që u zhvillua gjatë vlimeve politike të vitit 1968...

“Isha i angazhuar dhe një klub të vogël (Flamurtari), që organizimin e regjistrimit e filloi në një vit, të vështirë, në vitin e vlimeve politike për Flamur, dije e Universitet, në vitin 1968, në të cilin vit edhe është regjistruar (në shtatorin e vitit 1968). Fillimisht si shumë i ri, pastaj erdhi lëndimi dhe braktisja e futbollit. Në vitin l983, kur Prishtina fitoi statusin e anëtares së Ligës së parë të ish-Jugosllavisë, u themelua Këshilli profesional; u ftova edhe unë, si administrator. Punoja me psikologë, sociologë, mjek, për këshilla me lojtarët e klubit. Në vitin 1985, Kryesia e Flamurtari, më angazhoi për sekretar të klubit, kur më dëshirë dhe vullnet të madh punova, sepse ishte edhe periudha e fillimit të ndërtimit të Stadiumit të Flamurtarit, me objektet tjera përcjellës. Ishte ky çasti që nuk do ta harroj kurrë, sepse edhe një klub që deri atëherë, ishte mysafir në çdo ndeshje, do të bëhej më objekt dhe fushë të veten. Në këtë klub isha deri në shkëputjen e tij nga ish-sistemi jugosllav dhe krijimi i institucioneve të pavarura të futbollit në Kosovë. Rrugë e vështirë dhe shumë e rrezikshme në fillim, por me vullnetin e gjithë rinisë, njerëzve që në atë kohë iu prinin klubeve, këtë e realizuam me plotë sukses”.

-Një udhë dhe punë shumë e vështirë e me shumë rreziqe...

“Secili u mundua të bëjë më të mirën e mundëshme në punën organizative e profesionale, për krijimin e kushteve dhe infrastrukturës për gara të pavarura në Kosovë. E dinë të gjithë se kjo punë nuk ishte fare e lehtë, por sot, është edhe lehtë të shkruhet dhe të flitet, se kush bëri më shumë e kush më pak për të ardhur deri te fillimi i Kampionatit të pavarur në futboll në Kosovë. Unë them se është meritë e të gjithëve, pa bërë dallime për dikend më tepër e dikend më pak, në realizimin e qëllimit që i kishim përcaktuar vetes. Në fund ia dolëm më sukses... Kjo është më e mira për një rini të tërë e një popull që aq shumë e deshi të dal nga kthetrat e një sistemi që deri në atë kohë, por edhe më vonë në një segregacion e trysni të vrazhdë, sikur deshi të na privojë nga e drejta për të luajtur futboll në trevat tona, madje edhe të na privojë nga e drejta për jetë”.

-Ju i keni përjetuar dy shekuj sport. Cili ka qenë futbolli i viteve të 80-ta?

“Po, në vitet e 80-ta, edhe përkundër cilësisë, apo edhe organizimit të mirëfilltë, ishte e vështirë të kishim mundësinë të ngriteshim në një rang më të lartë. Nuk na lejonin organet drejtuese dhe njerzit që gjithnjë ishin me një vëzhgim të vrazhdë ndaj klubeve shqiptare”.

-Po futbolli i viteve te 90-ta?

“Vitet e 90-ta ishin më të vështirat në tërë kohën që isha afër futbollit dhe me te, sepse përpos përndjekjeve, frikës për burgosje e maltretimeve fizike, nuk kishte kushte thelbësore për veprimtari të klubeve, derisa isha në gjendje t’i përcillja më afër. Nga viti 1991 fillova punën në organet e Federatës së futbollit dhe isha kryesisht i angazhuar me njerëzit e komisioneve të punonim në Statut, Rregullore dhe infrastrukturë, por edhe gjithnjë i njoftuar se klubet janë në gjendje të rëndë. Aktiviteti zhvillohej me ndihmën e donatorëve, të cilët ndihmonin klubet, vetëm e vetëm që të mbijetonin në garat e Ligës së pavarur të futbollit të Kosovës”.

-Cili ishte dhe çka prodhoi futbolli i periudhës 1991 – 1999?

“Futbolli i viteve 1991- 1999, ishte periudha më e ndritshme e përpjekjeve për krijimin e Ligës së pavarur të futbollit në Kosovë, e luftës për krijimin e institucioneve të pavarura të futbollit, për të cilën shumë njerëz janë rrahur, burgosur e maltretuar, e shumë e shumë të tjerë kanë bërë qëndresë. Numri i tyre gjithnjë është rritur për të arritur qëllimin që i kishim dhënë vetes në fillet e krijimit të Ligës së pavarur të futbollit. Nuk duhet assesi të harrohen se një aktivitet i tillë nuk do të ishte i mundur pa donatorët nëpër klube, të cilët për një kohë të gjatë, por edhe sot japin që t’u krijojnë kushtet rinisë për aktivitetin e futbollit në Kosovë”.

-Si i përshkruani këto 20 vjet të futbollit në liri dhe pavarësi të Kosovës?

“20 vjetët e futbollit të Kosovës, përveç rikthimit në objektet sportive, shënojnë nismën e periudhës së zhvillimit të veprimtarisë sportive në liri, me synime të qarta që Kosova të përfaqësohet denjësisht në arenën vendore dhe ndërkombëtare, gjë e cila edhe në masë të madhe motivoi të gjithë njerëzit dhe njohësit e sportit kosovar për punë. Angazhimi dhe puna ka ecur, futbolli mori të mbarën dhe u zhvillua në liri, u ngrit në nivele shumë të larta dhe për këtë duhet përgëzuar tërë armatën e njerëzve që kanë punuar e ndihmuar dhe futbollit i kanë dhënë mundësinë për të ecur përpara, sidomos pas pranimit të asociacionet ndërkombëtare nga viti 2015, kur është pranuar në UEFA e FIFA”.

-Mund të na bëni një vështrim sa i përket kombëtares së Kosovës në futboll përgjatë katër periudhave?

“Kombëtarja e Kosovës në futboll veprimtarinë e ka nisur në fillet e krijimit të Ligës së pavarur të futbollit të Kosovës në vitet e 90-ta. Koha ishte e vështirë, por angazhimi dhe këmbëngulja e njerëzve në Federatën e Futbollit të Kosovës bëri që ajo të fillojë veprimtarinë dhe të zhvillojë ndeshje në kushte jashtëzakonisht të vështira, jo brenda Kosovës, sepse ishte e pamundur, por jashtë Kosovës, si në Maqedoni dhe Shqipëri. Nuk kisha dashur të flasë me emra për periudhën e rëndë nën pushtim, sepse mund ta harroj ndonjërin; apo që mbase renditja mund të mos u pëlqejë njerëzve; për këtë ekzistojnë dokumentet e në Federatën e Futbollit për një armatë të tërë, për ata që dhanë, u angazhuan dhe punuan për Kombëtarën e Kosovës në futboll. Po e shohim sot me admirim fytyrën e kombëtares sonë të vërtetë, e cila po na mrekullon me lojë dhe me rezultate”.

-Jorrallë po ka kritika për sa u përket personazheve që e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre gjatë periudhës 1991 - 1999. Si i vlelësoni ju këto?

“Gjendja e futbollit në Kosovë, është e mirë po shkon kah ngritja gjithnjë e më e madhe, falë Kryesisve të klubeve që po bëjnë organizim më të mirë në infrastrukturë dhe në punën profesionale; kjo patjetër se po jep rezultate dhe ngritje shkallë-shkallë të cilësisë. Ngritja e cilësisë është e qartë, sepse kanë filluar të angazhohen shumë lojtarë nga jashtë, për të rritur kështu konkurrencën dhe cilësinë. Infrastruktura është përmirësuar dukshëm, angazhimi edhe i trajnerëve bënë që cilësia të shkojë nga e mbara. Por, do të kisha dëshiruar të ishte edhe më mirë. Për këtë ka shumë mundësi, që duhet t’i shfrytëzojmë”.

-Ka diçka që nuk shkon në futbollin e Kosovës?

“Mundohem gjithnjë të përcjellë futbollin aq sa më lejon shëndeti, por sikur kamë bindjen që diçka nuk po shkon mirë, - arsyet i kërkoni, diku tjetër, apo edhe i dini.

Ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll, janë shumë larg të atyre të Europës, si në organizim, cilësi e gjitha të tjerat që duhet përmirësuar për të qenë më afër ndeshjeve të Europës. Lojtarët kanë qenë, janë dhe mendoj se do të jenë shembulli më i mirë që po shkojnë drejt Europës. Mendoj gjithashtu se edhe gjykimi i ndeshjeve është në përmirësim të dukshëm, por të tjerat qalojnë. Duhet angazhim që të ngritet niveli, të paktën për të përafruar mendimin se jemi afër Europës”.

-Sa jemi larg Europës?

“Angazhimi i njerëzve në fillet e krijimit të Ligës së pavarur e më vonë edhe Federatës së futbollit ka qenë që të krijohen institucione të qëndrueshme të shtetit për të krijuar parakushtet edhe për punët e tjera; që të bëhen përparime në të gjitha drejtimet. Derisa Kosova ka shpallur pavarësinë, ka himnin dhe flamurin, sikur është pak herët të thuhet se mund të jetë një Kombëtare e fuqishme. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet bërë angazhime për krijimin e parakushteve, që gradualisht të arrihen edhe përparime”.

-Cili ishte kontributi i gazetarëve të sportit përgjatë dy shekujve të futbollit të Kosovës?

“Aktiviteti, organizimi e puna që është zhvilluar që nga fillimi, po të mos publikohej, do të konsiderohej sikur mos të ishte punuar fare. Andaj, puna e gazetarëve është pika më e ndritur e gjithë veprimtarisë së bërë që nga fillimi i punës së Federatës së futbollit të Kosovës. Gazetarët e sportit kanë bërë punë të guximshme profesionale për informim të drejtë dhe në kohën reale.

Me që më dhatë rastin për bashkëbisedim, do të doja të falënderoja të gjithë njerëzit e pendës e dijes, gazetarët sportivë, me të cilët sa isha në detyrë, kam pasur bashkëpunim të rregullt e shumë korrekt... Meqë ndodhemi edhe në prag të Vitit të Ri 2020, i përgëzoj për punën dhe u dëshiroj shëndet”...

Bisedën e bëri: Xhavit KAJTAZI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat