Llapi me një statistikë aspak të favorshme para finales me Dukagjinin

Futboll

Llapi me një statistikë aspak të favorshme para finales me Dukagjinin

Më: 12 maj 2021 Në ora: 16:16
Tahir Batatina

Dukagjini dhe Llapi do të përballen në finalen e Kupës së Kosovës për sezonin 2020/21.

Ndeshja do të zhvillohet sonte në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pritet një ndeshje jashtëzakonisht interesante me të dyja skuadrat që duan të kurorëzohen me trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.

Llapi nuk ka treguar paraqitje edhe aq të mira në ndeshjet në fusha e huaja, jashtë stadiumit “Zahir Pajaziti” në këtë edicion të Superligës së Kosovës.

Skuadra e Tahir Batatinës ka humbur 11 nga 17 ndeshjet e luajtura në këtë edicion në transfertë, kurse ka fituar katër dhe ka barazuar edhe dy prej tyre.

Kjo nuk duket të jetë një statistikë e favorshme para finales së sontme, kur dihet që ndeshja do të luhet në Prishtinë, ashtu siç u tha edhe më lartë.

Megjithatë, në çerek finale dhe gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, llapjanët morën dy fitore shumë të rëndësishme në transfertë. Fillimisht në “Riza Lushta”, me rezultat 1 me 2 e më pas në ndeshjen e parë ndaj Prishtinës 2 me 3, në gjysmëfinale.

Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat sonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat