Agim Ademi: Ismeti me zërin e tij kumbues, i motivonte futbollistët e asaj kohe të KF Prishtina

Futboll

Agim Ademi: Ismeti me zërin e tij kumbues, i motivonte futbollistët e asaj kohe të KF Prishtina

Më: 13 maj 2021 Në ora: 16:43
Agim Ademi: Ismeti me zërin e tij kumbues, i motivonte futbollistët e asaj kohe të KF Prishtina

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është i pikëlluar me vdekjen e këngëtarit të mirënjohur Ismet Bogujevci. 

“Me pikëllim të madh në këtë ditë të bekuar të Fitër Bajramit e mora lajmin për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore, Ismet Bogujevci.

Një personalitet me vlera të mëdha, i dashur e i respektuar nga të gjithë, por veçmas nga komuniteti artistik dhe ai sportiv. 
Ismeti ishte artist i kompletuar, këngëtar me zë unik por edhe njeri me virtyte të larta. Ai ishte gjithmonë afër sportit, e sidomos futbollit. Miqësia e tij me futbollistët e gjeneratës së artë të Prishtinës ishte e vazhdueshme e gjithëpërfshirëse. 

Me zërin e tij kumbues dhe këngët e tij përplot emocion i motivonte futbollistët e asaj kohe të KF Prishtina, teksa dashuria për futbollin nuk iu venit asnjëherë. 

Edhe në kohën e fundit pas pranimit në UEFA e FIFA, Ismet Bogujevci ishte gjithmonë afër futbollit dhe krenohej me çdo sukses të Dardanëve tanë. 

Shkuarja e tij në përjetësi është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për tërë komunitetin artistik dhe për sportistët, por veprat e tij ndër vite e bëjnë atë të pavdekshëm.

Ismeti një jetë të tërë ia kushtoi këngës së mirëfilltë popullore dhe u këndoi shumë çifteve në Kosovë në ditën e tyre më të veçantë, teksa e këndonte në mënyrë unikale këngën “Martesa jonë është kurorëzim i dashurisë”.

Sot, ai u largua nga kjo botë, por emri i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e kulturës dhe artit të Kosovës. 

Ngushëllimet më të sinqerta Familjes Bogujevci, të gjithë atyre që e njohën, e posaçërisht komunitetit artistik dhe të gjithë sportistëve që e kishin mik të ngushtë.
Lamtumirë miku im!
Shpirti yt u prehtë në paqe!
Me pikëllim e respekt,”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat