Apolonia bie zyrtarisht në Kategorinë e Parë!

Futboll

Apolonia bie zyrtarisht në Kategorinë e Parë!

Më: 13 maj 2021 Në ora: 19:32
Apolonia bie zyrtarisht në Kategorinë e Parë!

Laçi bllokohet në shtëpi nga ekipi i Skënderbeut dhe tani veniten edhe ato fare pak shpresa që bardhezinjtë kishin për t’u kurorëzuar me titullin e parë në historinë e klubit.

Një pikë e artë për bardhekuqtë, që ia dolën mbanë për të rrëmbyer një barazim pa gola brenda në Kurbin, sidoqoftë ekipi korcar duhet të falenderojë portierin Bekim Redjepi për pritjet e tij heroike. Portieri shqiptaro – maqedonas u testua pothuajse nga të gjithë futbollistët e ekipit laçjan, megjithatë 24-vjeçari nga Shkupi ishte thjesht i pakalueshëm. Bekim Redjepi kyci portën e tij, duke u shpallur me diferencë edhe si lojtari më i rëndësishëm i ndeshjes.

Takimi i katërt rresht që Redjepi rreshtohet si titullar mes shtyllave nga Migen Memelli dhe portieri i ardhur në formë huazimi nga Shkëndija e Tetovës ia shpërbleu në mënyrën më të mirë të mundshme gjithë këtë besim trajnerit të tij, duke mbajtur të paprekur portën e tij për herë të dytë në katër sfidat e fundit të kampionatit shqiptar.

Në krahun tjetër ekipi kurbinas krijoi një volum tepër të madh loje dhe mundësi pa fund, por futbollistët e skuadrës lacjane nuk patën qetësinë e duhur për të shfrytëzuar rastet e shumta që patën në dispozicion. Lojtarët vendas shpërdoruan vërtet shumë, sidomos në pjesën e dytë të takimit, duke dështuar për të thyer mbrojtjen tepër të ngjeshur të skuadrës korcare, si dhe portierin Bekim Redjepi, që bëri padyshim ndeshjen e tij më të mirë në Kategorinë Superiore.

Me një rezultat të tillë tani formacioni i Shpëtim Duros humbi terren kundrejt Teutës kryesuese dhe ekipi lacjan barazohet në vendin e tretë, në kuotën e 57 pikëve nga kuqeblutë e Vllaznisë, ndërsa skuadra bardhekuqe kthehet tepër e lumtur në Qytetin e Korcës, ku do të ketë një kalendar vërtet shumë të favorshëm, e natyrisht edhe privilegjin për të pritur në harkun e vetëm pesë ditëve kundërshtarë të tillë si Apolonia dhe Kukësi, që nuk kanë më asnjë objektiv, në tre ndeshjet e mbetura të këtij edicioni të Kategorisë Superiore.

Apolonia bie zyrtarisht në Kategorinë e Parë, është ky verdikti i parë i këtij sezoni në Kategorinë Superiore. 3 javë para fundit fierakët nuk i lejon më as matematika për të shpresuar te mbijetesa pasi u mposhtën edhe nga Kukësi me shifrat 0-3 brenda në Loni Papuçiu.

Agim Ibraimi hapi serinë e golave për Kukësin në pjesën e parë ndërkohë që në fraksionin e dytë realizuan edhe Redon Dragoshi dhe Gjelbërim Taipi duke vulosur suksesin e skuadrës së Mirel Josës që u ngjit në kuotën e 42 pikëve, dhe në 3 javët e fundit do të luajë për qejf sepse nuk ka asnjë mundësi as matematikore për ta ndryshuar këtë pozicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat