Luhet faza play-out, njihuni me skuadrat që bien nga Kategoria

Futboll

 Luhet faza play-out, njihuni me skuadrat që bien nga Kategoria

Më: 14 maj 2021 Në ora: 11:17
 Luhet faza play-out, njihuni me skuadrat që bien nga Kategoria

Kategoria Superiore U-17 ka zhvilluar ditën e enjte ndeshjet e fazës play-out, ku janë zbuluar edhe skuadrat që do të bien nga kategoria në sezonin e ardhshëm.

Partizani U-17 bie nga Kategoria Superiore, duke u mundur nga ekipi i Pogradecit. Në sfidën e zhvilluar dje në Kamëz, të kuqtë u mposhtën nga pogradecarët, që arritën të triumfojnë pas gjuajtjeve nga penalltitë me rezultatin 3-5, ndërsa koha e rregullt përfundoi me rezultatin e barabartë 0-0.

Takimi që do të përcaktonte ekipin që do të binte nga kategoria dhe atë që do të qëndronte edhe për sezonin e ardhshëm ishte mjaft emocionues, me shumë raste të krijuara nga të rinjtë e të ardhmes së futbollit shqiptar, por pa gola.

Shkëndija e Durrësit është ekipi tjetër që bie zyrtarisht nga Kategoria Superiore U-17. Në ndeshjen e zhvilluar ndaj Flamurtarit, Shkëndija u mund me rezultatin 1-4, në një sfidë që foli gjatë gjithë kohës për vlonjatët. Goli i parë u shënua nga Shkëndija, me Dashin që zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 12-të të takimit.

Dy minuta më vonë, vlonjatët barazojnë me Haxhiraj, ndërsa Idrizi dyfishon rezultatin për Flamurtarin në minutën e 22-të. Pjesa e parë u mbyll në favor të jugorëve, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, Kondi gjen sërish rrugën e rrjetës për Flamurtarin duke trefishuar rezultatin. Pak minuta para përfundimit të ndeshjes, Kondaj shënon golin e katërt për skuadrën dhe golin e dytë personal.

Në këtë mënyrë, ekipi i Pogradecit dhe Flamurtarit do të vijojnë të qëndrojnë në Kategorinë Superiore U-17 edhe në sezonin e ardhshëm ndërsa Partizani dhe Shkëndija e Durrësit bien zyrtarisht nga Kategoria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat