Tirana vuan

Futboll

Tirana vuan

Më: 14 maj 2021 Në ora: 15:36
Tirana vuan

Nëse del i kënaqur nga barazimi në një derbi, do të thotë se rreziku për ta humbur ka qenë më i madh se shanset për ta fituar. Ishte ky derbi i fundit për Tiranën, i luajtur jo keq, por ku maksimumi ishte barazimi.

Fotografia e një skuadre që pavarësisht se ka bërë mirë në pjesën e dytë të sezonit me Orges Shehin, nuk ka potencialin për të bërë aq sa duhet, gjithmonë në aspektin e organikës.

Ndaj të kuqve në një ndeshje ku patën segmentet kohore më të mira për ta, 25 herë kampionët demonstruan mangësitë në aspektin sulmues, pasi mungon njeriu gol, pavarësisht kohës së pakët që ka patur në dispozicion, nuk ka rezultuar i tillë as Taulant Seferi, ndonëse nuk i mungon talenti, teknika e aftësia për të krijuar volum, e raste, pasi me shifrat në dorë, 4 gola në 19 prezenca nuk janë një kuotë impresionuese.

E nëse nuk mund t’i vihet gjithë pesha e sulmit atij, mjafton të kujtosh se gjithë sulmuesit e tjerë janë shumë më deficitarë, asnjë gol nga Varinen, vetëm nga një për Halilin, Sasrakun e Danso, 3 nga Kale. Tirana ndaj “të kuqve” i ka thënë lamtumirë titullit, kjo edhe shprehimisht, me deklaratën kuptimplote të Presidentit Refik Halili, pas ndeshjes.

“Tani për titullin jemi të dorëzuar, pasi nuk ka më kohë për të rikuperuar pikët që kemi diferencë. Të shpresojmë ta mbyllim sa më mirë sezonin dhe të arrijmë një vend në Europë”, tha numri një i bardhebluve pas derbit.

Fjalë të qarta dhe që nuk kanë nevojë për shumë interpretim, Tiranës në këtë fund-kampionati i duhet të luftojë për Europën, duke menduar që tani për të ardhmen, me një qartësi më shumë, ju duhet njeriu gol.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat